• среда, 15 април 2026

Onkoxho-Iveala: Rendi botëror është ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme

Onkoxho-Iveala: Rendi botëror është ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme

Gjenevë, 26 mars 2026 (MIA) - Drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), Ngozi Okonxho-Iveala, deklaroi sot se sistemi multilateral ka ndryshuar në mënyrë thelbësore dhe se vendet duhet të përqendrohen te e ardhmja dhe reforma e rendit global tregtar. Ajo e dërgoi këtë mesazh delegatëve në hapjen e Konferencës së 14-të Ministrore të OBT-së në Jaunde, Kamerun, transmetojnë mediat britanike. 

“Rendi botëror dhe sistemi multilateral siç i njihnim janë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Nuk do t’i rikthejmë... Duhet të shohim drejt së ardhmes", theksoi Okonxho-Iveala. 

Edhe pse 72 për qind e tregtisë botërore ende zhvillohet sipas rregullave të OBT-së, ndërsa rritja e tregtisë së lidhur me inteligjencën artificiale është një pikë e ndritshme, Okonxho-Iveala paralajmëroi se sistemi global i tregtisë përballet me pasiguri të konsiderueshme. Ajo si arsye kryesore përmendi konfliktin në Lindjen e Mesme dhe pasojat e doganave amerikane që ndikojnë në vendet anembanë botës. 

Okonxho-Iveala, gjithashtu, përmendi problemet kyçe me të cilat përballet OBT-ja, duke përfshirë paralizën e organeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe mungesën e transparencës në raportimin e subvencioneve shtetërore. 

Ajo e ilustroi problemin me të dhëna se për vitin 2025, vetëm 64 vende anëtare kanë paraqitur njoftime për subvencione, ndërsa 102 jo. 

"Mungesa e transparencës çon në mungesë besimi, ndërsa kjo shkakton dyshime për praktika të padrejta dhe veprime në kundërshtim me parimet e tregut", tha ajo para delegatëve. 

Kjo, shtoi ajo, ka kontribuar në krijimin e një "rrethi vicioz" mosbesimi që i pengon vendet anëtare të bien dakord për rregulla të reja dhe reforma të nevojshme.  rq/

Foto: EPA

Тагови

Остани поврзан