• вторник, 14 април 2026

OKB: Sulmet me dronë në Sudan vranë më shumë se 500 civilë midis janarit dhe marsit

OKB: Sulmet me dronë në Sudan vranë më shumë se 500 civilë midis janarit dhe marsit

Gjenevë, 24 mars 2026 (MIA) - Më shumë se 500 civilë u vranë në Sudan në sulmet me dronë midis janarit dhe mesit të marsit, kryesisht në rajonin strategjikisht të rëndësishëm Kordofan, deklaroi sot Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

"Sipas informacioneve të disponueshme, më shumë se 500 civilë u vranë në këto sulme, të cilat ndodhën midis 1 janarit dhe 15 marsit. Shumica e këtyre vdekjeve të civilëve u regjistruan në tre shtete në rajonin Kordofan", deklaroi zëdhënësja e Komisioneres së Lartë Marta Hurtado në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

“Rritja e ndjeshme e përdorimit të dronëve për sulme ajrore në Sudan këtë vit nxjerr në pah ndikimin shkatërrues të kësaj arme me teknologji të lartë dhe relativisht të lirë në zonat e populluara”, tha zëdhënësja.

Sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, vetëm në dy javët e para të marsit, "u vranë më shumë se 277 civilë, më shumë se tre të katërtat e tyre në sulme me dronë".

"Këto sulme vdekjeprurëse vazhduan javën e kaluar, ndërsa muaji i shenjtë i Ramazanit po mbaronte", tha Hurtado, duke përmendur sulmin e 20 marsit në Spitalin Universitar El Dain në shtetin Darfuri Lindor, në të cilin e humbën jetën të paktën 64 persona, përfshirë 13 fëmijë.

“Intensifikimi i sulmeve me dronë po përhapet përtej kufijve të Sudanit, duke nxitur frikën e përshkallëzimit të mëtejshëm me pasoja të rëndësishme rajonale”, tha zëdhënësja, duke iu referuar sulmeve që synojnë qytetet në kufirin Sudan-Çad pas ofensivave tokësore nga forca paramilitare Forca për mbështetje të shpejtë (RSF), e cila ka luftuar kundës ushtrisë që nga prilli i vitit 2023.

Sipas saj, të paktën 24 civilë u vranë në sulmin me dronë në qytetin Tine në Çad më 18 mars, ndërsa 60 persona u plagosën. Qeveria e Çadit më parë publikoi se kanë vdekur 17 persona.

Për shkak të luftës civile në Sudan, dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur, ndërsa më shumë se 12 milionë janë zhvendosur, nga të cilët gati një milion kanë kërkuar strehim në Çad, sipas të dhënave të OKB-së. ls/

Foto: Arkivi i EPA-s

 

Остани поврзан