• среда, 15 април 2026

Nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit midis Fakultetit pedagogjik të UT-së dhe Akademisë rajonale të Odesës

Nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit midis Fakultetit pedagogjik të UT-së dhe Akademisë rajonale të Odesës

Shkup, 24 mars 2026 (MIA) - Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe forcimit të dimensionit akademik e shkencor, Fakulteti pedagogjik i Universitetit të Tetovës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm strategjik duke nënshkruar Memorandum bashkëpunimi me Akademinë rajonale për zhvillim profesional të mësimdhënësve në Odesa, Ukrainë.

Siç njofton Zyra për informim pranë UT-së, ky bashkëpunim është rezultat i kontakteve të para të vendosura përmes bashkëpunimit me Universitetin Masaryk në Bërno, Çeki, duke dëshmuar për një rrjetëzim në rritje të Fakultetit Pedagogjik me institucione të rëndësishme evropiane në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.

Ceremonia zyrtare e nënshkrimit u zhvillua në ambientet e Fakultetit Pedagogjik, në një atmosferë institucionale dhe bashkëpunuese. Nga Fakulteti Pedagogjik-UT, morën pjesë dekani Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, prodekania për arsim Prof. Dr. Besa Havziu Ismaili, prodekania për shkencë Prof. Dr. Teuta Ramadani-Rasimi, si dhe sekretarja e Fakultetit Pedagogjik Mr. Sc. Mirvete Shabani.

Ndërkaq, nga pala e Odesës ishin të pranishme dy përfaqësuese institucionale: Olena Balbuza, drejtoreshë e Qendrës Rajonale për Mbështetjen e Arsimit Gjithëpërfshirës dhe Hanna Boldyrieva, metodologe në Laboratorin Metodologjik për Veprimtarinë Menaxheriale dhe Cilësinë e Arsimit në kuadër të departamentit të Filozofisë.

Memorandumi i nënshkruar parasheh një bashkëpunim të gjerë dhe të strukturuar ndërinstitucional, i cili përfshin zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe arsimore, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në mësimdhënie dhe menaxhim arsimor, si dhe avancimin e kapaciteteve profesionale të stafit akademik dhe mësimdhënësve.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet gjithashtu organizimit të aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si konferenca ndërkombëtare, seminare tematike dhe tryeza diskutimi, të cilat synojnë rritjen e cilësisë së arsimit dhe promovimin e inovacioneve pedagogjike.

Ky memorandum përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të Fakultetit Pedagogjik dhe fuqizimit të rolit të tij në zhvillimin e arsimit bashkëkohor, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi me institucione relevante në Evropë dhe më gjerë. bsh/

Foto: Universiteti i Tetovës

Остани поврзан