Nënpresidenti amerikan niset drejt Pakistanit, e kryeson delegacionin për bisedime me Iranin
- Nënpresidenti amerikan, Xhej Di Vens sot do të udhëtojë drejt kryeqytetit të Pakistanit, Islamabad, ku me pjesëmarrjen e ndërmjetësuesve, do të bisedojë me përfaqësues të Iranit. Bisedimet mbahen në kohën kur armëpushimi i brishtë është në skaj të kolapsit.
Uashington, 10 prill 2026 (MIA) - Nënpresidenti amerikan, Xhej Di Vens sot do të udhëtojë drejt kryeqytetit të Pakistanit, Islamabad, ku me pjesëmarrjen e ndërmjetësuesve, do të bisedojë me përfaqësues të Iranit. Bisedimet mbahen në kohën kur armëpushimi i brishtë është në skaj të kolapsit.
Vens do të shoqërohet nga i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Tramp, Stiv Uitkof dhe dhëndri i Trampit, Xhared Kushner. Ata morën pjesë në tre raunde bisedimesh përmes ndërmjetësuesit me negociuesit iranianë, të kahëzuara drejt zgjidhjes së shqetësimeve të SHBA-së lidhur me programet bërthamore dhe balistike të iranit dhe mbështetjes së Iranit për grupe në Lindjen e Afërt, para se Trampi dhe Izraeli të fillojnë luftë kundër Iranit më 28 shkurt.
Shtëpia e Bardhë nuk dha shumë hollësi për formatin e bisedimeve, nëse do të jenë të drejtpërdrejta apo jo, dhe akoma nuk saktësoi se çka pritet konkretisht nga takimi.
Nga Revolucioni islamik në vitin 1979, kontakti më i drejtpërdrejtë mes Uashingtonit dhe Teheranit ishte kur presidenti ia tëhershëm Barak Obama e ftoi presidentin e sapozgjedhur iranian, Hasan Rohani në shtator të vitit 2013 të bisedojnë për programin bërthamor të Iranit.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Ana Keli, deklaroi se Vens, Uitkof dhe Kushner si dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio "çdoherë kanë bashkëpunuar në këto diskutime" dhe se Trampi është optimist se mund të arrihet marrëveshje e përhershme gjatë armëpushimit dyjavor.
Shtëpia e Bardhë nuk saktësoi se kush do të jetë në bisedime përveç Vensit, Uitkofit dhe Kushnerit, por u tha se do të ndihmojnë edhe përfaqësues nga Këshilli për siguri kombëtare, Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni. ab/