• петок, 17 април 2026

Numri i të vrarëve nga të shtënat në një shkollë në Turqi është rritur në dhjetë

Numri i të vrarëve nga të shtënat në një shkollë në Turqi është rritur në dhjetë

Stamboll, 16 mars 2026 (MIA) - Edhe një person tjetër ndërroi jetë sot në spital si pasojë e plagosjes nga të shtënat e djeshme në një shkollë në Turqi.

Pas të shtënave në të cilat u vranë nëntë persona, ndërsa 13 u plagosën, gjashtë prej tyre ishin në gjendje kritike.

Isa Aras Mersinli, i cili ishte 14 vjeç, dje qëlloi në dy klasa në një shkollë të mesme në qytetin jugor Kahramanmarash, duke vrarë një mësuese dhe tetë nxënës. Sulmuesi, i cili gjithashtu humbi jetën, kishte mbërritur në shkollë me pesë armë zjarri dhe shtatë karikatorë që i përkisnin babait të tij, një ish zyrtar i lartë policor i pensionuar, i cili u arrestua pas sulmit.

Sulmi ndodhi vetëm një ditë pasi 16 persona u plagosën kur një ish nxënës qëlloi në një shkollë të mesme në provincën fqinje Shanliurfa. Pjesa më e madhe e viktimave ishin nxënës. Sulmuesi më vonë kreu vetëvrasje. Deri më sot, 20 persona janë arrestuar në lidhje me të shtënat e së martës në Shanliurfa.

Ministritë e Punëve të Brendshme dhe të Arsimit zhvilluan një takim të përbashkët në Ankara për sigurinë në shkolla, në të cilin morën pjesë ministrat kompetentë, të gjithë 81 guvernatorët e provincave turke, si dhe shefat e policisë dhe përfaqësues të institucioneve arsimore sipas provincave.

Policia turke ka zbuluar se sulmuesi i djeshëm në fotografinë e profilit të tij në Uatsap (WhatsApp) kishte një fotografi të Eliot Roxher, studentit që vrau gjashtë persona në Kaliforni në vitin 2014.

Ministria për Familjen dhe Çështjet Sociale sot njoftoi se ka formuar një ekip për dhënien e mbështetjes psikosociale për nxënësit dhe familjet e tyre, si dhe se planifikon një hetim të gjithanshëm për incidente të ngjashme.

Sot u mbajtën funeralet e nxënësve, të cilët ishin nga 11 vjeç, të vrarë dje, si dhe të mësueses së matematikës Ajla Kara (55), e cila humbi jetën gjatë sulmit.

Qindra mësues u mblodhën sot në Ankara dhe Izmir duke kërkuar siguri më të madhe në shkolla. Deri këtë javë, të shtënat në shkolla ishin të rralla në Turqi.

Megjithatë, dhjetëra nxënës janë arrestuar sot për shkak të postimeve në rrjetet sociale që sugjeronin sulme të mundshme të ngjashme. Ministri i Drejtësisë, Akin Gurlek, njoftoi se 67 përdorues të rrjeteve sociale janë ndaluar për postime që kishin në shënjestër 54 shkolla të ndryshme. qa/

Foto: Anadollia

Остани поврзан