Një tërmet i fuqishëm në jug të ishullit grek të Kretës
- Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.7 ballë sipas shkallës Rihter u regjistrua pak para orës 6:30 të mëngjesit sipas kohës lokale në zonën detare në jug të ishullit grek të Kretës, ndërsa deri më tani nuk janë raportuar probleme, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Athinë, 24 prill 2026 (MIA) - Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.7 ballë sipas shkallës Rihter u regjistrua pak para orës 6:30 të mëngjesit sipas kohës lokale në zonën detare në jug të ishullit grek të Kretës, ndërsa deri më tani nuk janë raportuar probleme, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Sipas Institutit Gjeodinamik, epiqendra ishte në zonën detare shtatë kilometra në jugperëndim të qytetit bregdetar të Gudurës dhe në një thellësi prej 5 kilometra.
Zëvendësprefekti i zonës, Janis Andrulakis për televizionin shtetëror ERT tha se tërmeti u ndje në pjesën lindore të ishullit dhe po presin të shohin nëse janë shkaktuar probleme, ndërsa mbrojtja civile e njësive specifike rajonale është në gatishmëri.
Kryetari i Organizatës Greke për Planifikim dhe Mbrojtje Antisizmike (OASP), profesor Eftimios Lekas për ERT tha se përveç Kretës, tërmeti u ndje edhe në ishujt fqinjë Kasos dhe Karpatos.
Sizmologu Gerasimos Papadopulos në rrjetet sociale komentoi se tashmë po ndodhin lëkundje të njëpasnjëshme, më e madhja prej të cilave deri më tani ka një magnitudë prej 3.8 ballë, por se ka pasur tërmete në ditët e fundit, dhe se aktiviteti sizmik po zhvillohet në një distancë të konsiderueshme nga Kreta, dhe "kjo zvogëlon rrezikun edhe nëse ndodh një tërmet edhe më i madh".
"Më 2 maj të vitit 2020, një tërmet me magnitudë 6.6 ballë ndodhi pak më në jug, por nuk shkaktoi dëme të konsiderueshme për shkak të distancës. Atëherë pati edhe një cunam të vogël pranë Jerapetrës dhe Kasosit", ka shkruar sizmologu.
Foto: Printskrin