Nikolloski: Takimi i liderëve është akt vullnetar, nëse LSDM-ja dëshiron të izolohet vet, nuk mund të bëjmë asgjë
- – Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski, i cili është edhe zëvendëskryetar i Qeverisë dhe ministër i Transportit, thotë se takimi i nesërm i liderëve është akt vullnetar dhe se është iniciuar nga ana e VMRO-DPMNE-së në pushtet që të bisedohet për çështjet më të rëndësishme të cilat për momentin janë në fokusin politik të shtetit.
Shkup, 13 janar 2026 (MIA) – Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski, i cili është edhe zëvendëskryetar i Qeverisë dhe ministër i Transportit, thotë se takimi i nesërm i liderëve është akt vullnetar dhe se është iniciuar nga ana e VMRO-DPMNE-së në pushtet që të bisedohet për çështjet më të rëndësishme të cilat për momentin janë në fokusin politik të shtetit.
“Mendoj se kryeministri dhe VMRO-DPMNE-ja kanë treguar madhështi, duke pasur parasysh se kemi pothuajse dy të tretat e shumicës në Parlament, një pozicion jashtëzakonisht i rehatshëm që nuk kushtëzohet nga asnjë negociatë apo marrëveshje. Pavarësisht kësaj, vendosëm të iniciojmë takim të liderëve për çështjet më të rëndësishme që besojmë se aktualisht janë në fokusin politik të vendit. Nëse bëjmë një krahasim me kohët e tjera në të cilat VMRO-DPMNE, pavarësisht faktit se ishte në opozitë dhe kishte më shumë deputetë se LSDM, vetëm kujtoni se si dukej atëherë, ata nuk donin të komunikonin fare dhe takimet e liderëve mbaheshin sa për sy e faqe”, deklaroi Nikolloski sonte për ditarin qendror të lajmeve të televizionit Sitel.
Për refuzimin e LSDM-së që të marrë pjesë në takimin e liderëve, Nikolloski thotë se nëse LSDM-ja dëshiron të izolohet vetë, atëherë VMRO-DPMNE-ja nuk mund të bëjë asgjë.
“Ka një moment të çuditshëm në publik, dhe ai është se LSDM po bëhet E majta, ndërsa E majta po bëhet LSDM në kuptimin që ajo që ishte simbol i shkatërrimit tani po e merr ngadalë LSDM-ja. Shikoni, çfarë lloj formulimesh po përdorin, çfarë lloj deklaratash janë përkthyer dobët nga serbishtja dhe pas kërkesave të qarta pas zgjedhjeve për ndryshim, mendoj se do të bëhet e qartë se nga vjen i gjithë ky shkatërrim”, theksoi Nikolloski.
Thotë se janë të gatshëm që në takimin e liderëve të bisedojnë për gjithçka dhe se nuk do të hedhin poshtë asnjë temë. “Se a do të merremi vesh është krejt pyetje tjetër”, thotë Nikolloski.
Në lidhje me mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, Nikolloski është kategorik se zgjedhjet parlamentare do të jenë të rregullta dhe do të mbahen në vitin 2028.
“Zgjedhje parlamentare do të ketë në vitin 2028. Nëse duam të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, kemi numër të mjaftueshëm të deputetëve ta votojmë këtë vetë kështu që kjo është një temë e sajuar e cila përsëri tregon dobësi në LSDM”, vlerëson Nikolloski.
Për kërkesën për shfuqizimin e qeverisë teknike, Nikolloski thotë se kjo është nevojë reale dhe se qeveria teknike e ka tejkaluar kohën dhe arsyet për çka është krijuar.
“Në vitin 2015, kjo qeveri teknike u dakordësua në një kontekst krejtësisht të ndryshëm politik dhe ishte një zgjidhje për një krizë politike. Deri në zgjedhjet e ardhshme të rregullta parlamentare, do të kalojnë 12,5 vjet nga ajo krizë politike. Kjo qeveri teknike e ka tejkaluar kohën e saj dhe arsyet për të cilat u krijua, dhe ne jemi i vetmi vend midis demokracive normale në Evropë që ende po e bën këtë”, nënvizoi Nikolloski.
I pyetur pse për këtë nuk është pajtuar VMRO-DPMNE-ja kur ishte në opozitë, Nikolloski tha se ishte iniciuar nga ana e tyre, por se arsyeja e vetme pse nuk ishte shfuqizuar qeveria teknike ishte marrëveshja ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së, që BDI-ja të ketë kryeministër dhe kjo ka ndodhur. Talat Xhaferi u bë kryeministër që ishte jashtë të gjitha rregullave të zgjedhjeve dhe për këtë në zgjedhje përfunduan ashtu si përfunduan, theksoi Nikolloski. fc/
Foto: Printskrin