• понеделник, 20 април 2026

Nikolloski: Kontraktori i autostradës Prilep - Manastir premtoi se pranverën e ardhshme do të vozitet në kilometrat e para

Nikolloski: Kontraktori i autostradës Prilep - Manastir premtoi se pranverën e ardhshme do të vozitet në kilometrat e para

Shkup, 16 prill 2026 (MIA) - Ndërtimi i autostradës Prilep - Manastir po zhvillohet shkëlqyeshëm dhe mora premtim nga kontraktori se pranverën e ardhshme do të voziten kilometrat e para, si dhe se në pranverën e vitit 2029, para afatit të caktuar, do të kemi një zgjidhje të plotë të autostradës nga Prilepi në Manastir, deklaroi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, para takimit me odat rajonale ekonomike nga Manastiri dhe Prilepi.

"Nikolloski paralajmëroi se me "HM Infrastrukturë" dhe "HM Transport" po punohet në qershor të këtij viti të leshohet një tren ndërurban në linjën Prilep - Manastir - Zhabeni me një çmim promovues prej 150 denarë për biletë vajtje-ardhje. "Po punohet edhe në projektimin e një unaze rrugore për Prilepin, në fazë serioze është projekti i ngrohjes në Manastir, si dhe aktivitetet për gazifikimin midis Prilepit dhe Manastirit", tha Nikoloski. 

Para takimit me biznesmenët, Nikolloski inspektoi punën në terren për ndërtimin e autostradës Prilep - Manastir dhe, siç theksoi, të gjitha sfidat që paraqiten në trasenë e autostradës po kapërcehen me koordinim të mirë midis institucioneve dhe realizuesit. Po punohet intensivisht në 22 kilometra të trasesë së hapur nga gjithsej 40 kilometra, ose në 55 për qind të trasesë së parashikuar.

Sipas Nikolloskit, ndërtimi po realizohet në përputhje me planin dinamik, përveç punimeve tokësore, po kryhen punime në 2 ura, 2 nënkalime, 1 mbikalim dhe 1 kryqëzim rrugor në trase. Në fazën përfundimtare janë punimet në nënkalimin pranë vendbanimit Alinci, nënkalimin nën rrugën rajonale R1101 dhe mbikalimin pranë fshatit Novo Lagovë. Aktivitete të përshpejtuara ndërtimi ka edhe në vendbanimet Topolçan dhe Vasharejca.

"Në këtë moment, sipas planit dinamik dhe nevojave operative, në terren punojnë mbi 75 makina dhe mekanizime. Lidhur me shpronësimin, u theksua se nga gjithsej 1.263 raste, deri më tani janë zgjidhur 1.204, ndërsa 59 raste të tjera janë në procedurë, me ç'rast u konkludua se shpronësimi po zbatohet me shpejtësi", thotë Nikoloski. ls/

 

 

Foto: Ministria e Transportit

Остани поврзан