• петок, 20 февруари 2026

Nikolloski: Ka filluar dialogu për zgjidhjen përfundimtare të transportuesve

Nikolloski: Ka filluar dialogu për zgjidhjen përfundimtare të transportuesve

Prilep, 18 shkurt 2026 (MIA) - LSDM po i shtrembëron faktet, përse transportuesit me protestat e realizuan një prej kërkesave themelore, e ajo është fillimi i dialogut që po zhvillohet dhe në korniza të tij duhet të gjenden zgjidhje përfundimtare, deklaroi zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, duke i hedhur poshtë akuzat e kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe lidhur me problemin e transportuesve. Nikolloski sonte mori pjesë në Prilep në llogaridhënien për punën e kryetarit të komunës së Prilepit pas 100 ditëve.

Nikolloski tha se për momentin po zhvillohet dialog dhe ka kohë të gjenden zgjidhjet përfundimtare për transportuesit sepse do të shtyhet zbatimi i sistemit EES dhe në vend se prej prillit, do të fillojë të zbatohet nga fundi i shtatorit. 

"Kryetarja e Komisionit evropian tha se një dialog i tillë do të ndodhë dhe prezantoi një dokument të quajtur Strategjia e re e vizave të Bashkimit Evropian, e cila i njeh shoferët si profesionistë. Kjo ishte një nga kërkesat themelore. Dhe brenda kornizës së këtij dialogu që është duke u zhvilluar aktualisht, duhet të arrihen zgjidhje përfundimtare - askush askund, e lëre më në një sistem si Bashkimi Evropian, nuk pret që të gjitha çështjet të zgjidhen brenda dy javësh. Por ajo që thashë unë, ajo që tha Bashkimi Evropian atëherë ishte se ky dialog do të fillonte dhe se strategjia e re e vizave është mënyra dhe rruga që do të ndiqet. Kështu ishte, kështu po ndodh. Çdo gjë tjetër është një shtrembërim i fakteve. Ne kemi pasur tashmë një takim në nivel politik, një në nivel teknik", tha Nikolloski.

Zëvendëskryetari i Qeverisë paralajmëroi se më 24 shkurt sërish do të ketë takim të nivelit teknik.

"Ka mjaft kohë për të gjetur zgjidhje përfundimtare, duke pasur parasysh se zbatimi i sistemit EES për transportuesit do të shtyhet dhe në vend të prillit, do të fillojë të zbatohet nga fundi i shtatorit. Deri atëherë, ka mjaft kohë dhe mjaft mënyra për të gjetur zgjidhje përfundimtare dhe ato të zbatohen nga të gjitha 29 shtetet anëtare të zonës Shengen, gjë që nuk është punë e vogël", tha Aleksandar Nikolloski gjatë qëndrimit sonte në Prilep, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës, duke i konsideruar ato si shtrembërim të fakteve. ab/

Foto: МIА

 

Остани поврзан