• петок, 20 февруари 2026

Ndryshime në Ligjin për komunikime elektronike për heqje të shpenzimeve për roaming gjatë udhëtimeve në BE

Ndryshime në Ligjin për komunikime elektronike për heqje të shpenzimeve për roaming gjatë udhëtimeve në BE

Shkup, 15 shkurt 2026 (MIA) - Me ndryshime të Ligjit për komunikime elektronike, që janë vendosur për shqyrtim në Regjistrin e vetëm nacional të rregullave (ENER) shteti i bartë në legjislaturën vendore rregullativat e nevojshme evropiane me çka do të mund t'i bashkangjitet nismës "Roaming si në shtëpi" të Bashkimit Evropian. Me atë do t'iu mundësohet qytetarëve dhe bizneseve të prëdorin shërbime celulare në vendet e BE-së pa shpenzime shtesë të roamingut, sikur të jenë në shtëpi.

Për ndryshimet ligjore, bartëse e të cilave është Ministria e Transformimit Digjital, në ENER mund të parashtrohen komente edhe katër ditë.

Me Ligjin duhet të përcaktohen rregulla të qarta për kufizimin e çmimeve të shërbimeve roaming, me çka, qëndron në draft verzionin, do të mundësohet mbrojtje e shtuar e përdoruesve përmes informacionit transparent dhe mekanizmave për parandalimin e shpenzimeve të larta të papritura dhe forcimin e rolit rregullator të institucioneve kompetente në fushën e komunikimeve elektronike. Qëllimi është të mundësohet heqja e shpenzimeve të roaming gjatë udhëtimit në vendet e BE-së, rritja e sigurisë ligjore dhe parashikueshmërisë së çmimeve dhe qasje më e lehtë në shërbimet digjitale, shërbimet elektronike dhe komunikimin celular jashtë vendit.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, muajin e kaluar tha në një intervistë televizive se duhet të përfundojmë detyrimet tona të brendshme deri në shkurt dhe se pjesa tjetër do të jetë lobim dhe një marrëveshje në nivelin Maqedoni-BE dhe Ballkan Perëndimor-BE.

Krahas bartjes së katër rregullativave në Ligjin për komunikime elektronike përmes amendamentit që është në draft verzion deri në korrik të këtij viti, Agjencia për komunikime elektronike duhet të miratojë edhe akte nënligjore.

Shteti është pjesë e Marrëveshjes rajonale për roamingut në Ballkanin Perëndimor (BP) prej 1 qershorit 2021. Qytetarët kanë mundësi të përdorin shërbimet e komunikimit celular në vendet e BP-së në të njëjtat kushte si në rrjetet vendore, pa shpenzime shtesë të roamingut. Pavarësisht këtij progresi në nivel rajonal, roamingu me shtetet anëtare të BE-së ende nuk është rregulluar plotësisht në përputhje me standardet evropiane.

Komisioni evropian në Samitin e liderëve me vendet e Ballkanit Perëndimor për Planin për rritje të mbajtur më 30 qershor dhe 1 korrik 2025, njoftoi zyrtarisht se do të nisë një procedurë për të gjetur zgjidhje ligjore që do t'u mundësonte vendeve të rajonit të kenë qasje në nismën "Roaming si në shtëpi".

Në gusht të vitit 2025, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe miratoi Informatën për Nismën e Komisionit evropian për heqjen e shpenzimeve të roamingut me vendet e Bashkimit Evropian, si pjesë e Planit për rritje të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, me Plan aksioni për harmonizimin me legjislaturën evropiane të roamingut dhe anekset. Sipas Planit të aksionit, Ministria e Transformimit Digjital, në bashkëpunim me Agjencinë për komunikime elektronike, u angazhua me zbatimin e Planit të aksionit, i cili përcakton që një analizë e detajuar e boshllëkut ligjor (analiza e GAP) midis legjislaturës nacionale dhe rregulloreve përkatëse të Bashkimit Evropian duhet të përgatitet dhe t'i dorëzohet Qeverisë më së voni deri më 22 dhjetor 2025, dhe që aktet ligjore/nënligjore duhet të përgatiten bazuar në analizën e detajuar më së voni deri në prill 2026. ab/

Foto: МIА arkivi

Остани поврзан