• сабота, 21 февруари 2026

“Natë e verërave të Maqedonisë” në Paris

“Natë e verërave të Maqedonisë” në Paris

Shkup, 9 shkurt 2026 (MIA) - Kantinat nga Maqedonia e Veriut, nga data 9 deri më 11 shkurt, do të marrin pjesë në një nga panairet më me ndikim ndërkombëtar të verës – Wine Paris, përmes një stende të përbashkët kombëtare nën emrin “Macedonian Wines”, duke prezantuar potencialin, cilësinë dhe autenticitetin e verarisë së Maqedonisë para publikut botëror të verës.

Kjo paraqitje realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, përmes Programit për mbështetje financiare të zhvillimit rural, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për avancimin e eksportit dhe rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të verërave nga Maqedonia.

"Krah për krah me kantinat më prestigjioze botërore, prodhuesit nga vendi do të prezantojnë varietetet autoktone, terroirin specifik dhe qasjen bashkëkohore në prodhimin e verës, duke dëshmuar se Maqedonia po e zë gjithnjë e më qartë vendin e saj në skenën globale të verës", njoftoi MBPEU.

Përveç paraqitjes në panair, jashtë programit zyrtar të Wine Paris, në Paris do të mbahet edhe një ngjarje e veçantë promovuese me titull “Nuit du Vin Macédonien” (Nata e verërave nga Maqedonia), e dedikuar promovimit të verërave nga vendi para një publiku të selektuar ndërkombëtar.

MBPEU njoftoi se ngjarja realizohet falë angazhimit dhe mbështetjes së Ambasadorit në Francë, Igor Nikollov, i cili është edhe organizator i këtij promovimi dhe që njëkohësisht ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në realizimin dhe koordinimin e paraqitjes të kantinave të Maqedonisë së Veriut në panairin Wine Paris.

“'Nuit du Vin Macédonien' do të mundësojë prezantim të drejtpërdrejtë dhe degustim të verërave nga vendi para profesionistëve francezë dhe ndërkombëtarë të verës, distributorëve, mediave dhe njohësve të verës, me qëllim forcimin e mëtejshëm të imazhit dhe njohshmërisë së verës në një nga tregjet më kërkuese botërore. Paraqitja në Paris dërgon një mesazh të qartë se vera e Maqedonisë, me cilësinë dhe autenticitetin e saj, është e gatshme për një prani edhe më të fuqishme në skenën ndërkombëtare të verës", njoftoi MBPEU. bsh/

Foto: MBPEU

Остани поврзан