Në SPQ "8 Shtatori" përsëri në funksion shërbimi neurokirurgjik, janë operuar dy pacientë
- Pas një pauze disavjeçare, në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit "8 Shtatori" përsëri rikthehet në funksion shërbimi neurokirurgjik. Në kuadër të punës së ripërtërirë, sot u operuan me sukses dy pacientë me deformim të rëndë të shtyllës kurrizore dhe stenozë të kanalit kurrizor, kumtoi SPQ "8 Shtatori".
Shkup, 11 shkurt 2026 (MIA) - Pas një pauze disavjeçare, në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit "8 Shtatori" përsëri rikthehet në funksion shërbimi neurokirurgjik. Në kuadër të punës së ripërtërirë, sot u operuan me sukses dy pacientë me deformim të rëndë të shtyllës kurrizore dhe stenozë të kanalit kurrizor, kumtoi SPQ "8 Shtatori".
Ndërhyrjet, siç informojnë, janë kryer në përputhje me protokollet më moderne mjekësore, kurse pacientët janë në gjendje stabile postoperative.
SPQ "8 Shtatori" thekson se rinovimi i shërbimit përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve shëndetësore dhe ofrimit të kujdesit shëndetësor neurokirurgjik të vazhdueshëm, modern dhe cilësor.
Me riaktivizimin e Shërbimit Neurokirurgjik, shpjegojnë, pacientët do të kenë qasje në diagnostikim, trajtim operativ dhe kujdes postoperativ për një gamë të gjerë gjendjesh neurokirurgjikale, duke përfshirë sëmundjet e trurit, palcës kurrizore dhe sistemit nervor periferik.
"Qëllimi ynë është të ofrojmë shërbime shëndetësore të sigurta, efikase dhe në kohë, me fokus në mirëqenien dhe cilësinë e jetës së pacientëve", thonë nga spitali.
Ata theksojnë se rivënia në funksion e Shërbimit Neurokirurgjikal do të kontribuojë në uljen e nevojës për të referuar pacientët në institucione të tjera shëndetësore, si dhe në përmirësimin e disponueshmërisë së kujdesit shëndetësor të specializuar në mjedisin tonë. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s