• среда, 15 јануари 2025

Në Shqipëri vitin e kaluar rekord 11.7 milionë turistë

Në Shqipëri vitin e kaluar rekord 11.7 milionë turistë

Tiranë, 14 janar 2025 (MIA)- Viti 2024 ka rezultuar një tjetër vit rekord për turizmin e Shqipërisë me rreth 11.7 milionë vizitorë të huaj.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përmes një postimi në rrjete sociale.

Ajo shkruan se Shqipëria është në rrugë të mbarë për sa i përket rritjes së qëndrueshme në nivel fluksesh hyrëse, si dhe ka konsoliduar një ofertë turistike dhe të diversifikuar.

“11,7 milionë vizitorë të huaj ose 15% më shumë se viti 2023, e bën vitin 2024 një tjetër vit rekord  që na dëshmoi se Shqipëria nuk është thjesht kuriozitet i momentit, por ka shtruar për së mbari rrugën e saj në rritjen e qëndrueshme në shifra, në krijimin e një oferte serioze e të diversifikuar, si dhe ofrimin e përvojave unike në të gjitha shijet dhe ndjesitë e saj. Konsolidimi i tregjeve të Evropës Perëndimore si Italia, Gjermania, Franca, Spanja apo Britania, përveç rritjeve nga vendet e rajonit dhe afrimi i vizitorëve nga tregjet e largëta aziatike dhe amerikane, shoqëruar me impaktin e jashtëzakonshëm në ekonomi siç janë 3,8 miliardë euro të gjeneruara nga turizmi vëtëm në 9 muajt e vitit 2024 apo rritja e standardeve të strukturave akomoduese janë treguesit më të mirë të vizionit që po bëhet realitet, promovimit prestigjoz dhe eksperiencave të mira të krijuara vit pas viti”, shkruan Kumbaro.

Shifrat u bënë të ditur edhe nga kryeministri Edi Rama i cili shkroi se viti 2024 ishte një vit rekord që dëshmoi se Shqipëria nuk është thjesht një kuriozitet i momentit, por që ka hapur rrugën e saj drejt rritjes së qëndrueshme në numra, duke krijuar një ofertë serioze dhe të larmishme, si dhe duke ofruar përvoja unike.

 

 

 

Тагови

Остани поврзан