• сабота, 14 март 2026

Në katër vitet e fundit në Shqipëri janë vrarë 37 gra dhe vajza

Në katër vitet e fundit në Shqipëri janë vrarë 37 gra dhe vajza

Tiranë, 9 Mars 2026 (MIA) - Të dhënat nga Observatori për femicidin pranë Avokatit të Popullit të Shqipërisë tregojnë se në katër vitet e fundit, janë vrarë 37 gra dhe vajza, nga të cilat 27 raste janë vlerësuar si femicid.

"Vetëm në vitin 2024, janë analizuar 18 raste të dhunës ekstreme ndaj grave dhe vajzave, ku 13 nga viktimat kishin përjetuar më parë dhunë nga autori i krimit, gjë që vërteton se dhuna fatale është shpesh një përshkallëzim i abuzimit të njohur", qëndron në raport.

Edhe pse 5 nga viktimat kërkuan ndihmë nga policia para krimit, asnjëra prej tyre nuk ishte nën masa aktive mbrojtjeje në kohën e incidentit.

Sipas analizës së kryer nga ekspertët, motivet kryesore të këtyre ngjarjeve fatale lidhen me dëshirën për kontroll, xhelozinë dhe normat e thella patriarkale. Mbi gjysma e incidenteve ndodhën në zona rurale.

"Situata bëhet edhe më tragjike kur mësohet se viktimat në vitin 2024 ishin nëna të 33 fëmijëve, 9 prej të cilëve janë të mitur. Duke pasur parasysh këtë situatë alarmante, Avokati i Popullit rekomandon që të ndërmerren masa për të forcuar vlerësimin e hershëm të rrezikut dhe monitorimin e rasteve, si dhe njohjen ligjore të femicidit si një krim më vete", theksohet në raport.

Observatori për femicidin në Shqipëri është themeluar nga Avokati i Popullit, në bashkëpunim me Zyrën e OKB-së, në mars të vitit 2024. mb/

Foto: Avokati i Popullit

Остани поврзан