Myslimanët festojnë Fitër Bajramin
- Besimtarët e besimit islam në vend, por edhe në mbarë botën, sot festojnë festën e Fitër Bajramit, i cili konsiderohet si një nga pesë shtyllat e Islamit dhe festë e pastrimit shpirtëror dhe fizik.
Shkup, 30 mars 2025 (MIA) - Besimtarët e besimit islam në vend, por edhe në mbarë botën, sot festojnë festën e Fitër Bajramit, i cili konsiderohet si një nga pesë shtyllat e Islamit dhe festë e pastrimit shpirtëror dhe fizik.
Fitër Bajrami vjen pas një muaji agjërim, në të cilin përmbahen nga ushqimi dhe pijet nga agimi deri në muzg. Në të gjitha xhamitë sot falet namazi i Bajramit.
Ramazani, muaji i nëntë në kalendarin islam, është muaji kur vargjet e para të librit të shenjtë Kuranit iu shpallën profetit Muhamed më shumë se 1.400 vjet më parë.
Gjatë muajit të Ramazanit çdo mysliman e ka për detyrim të japë sadakatul-fitrin. Fitri duhet të jepet para se të falet namazi i Bajramit, e nëse ndonjërit i kalon ajo kohë, atëherë ai sërish obligohet ta japë atë si kompensim.
Fitër Bajrami është dita kur takohet forca e të pasurit me dobësinë e të varfërit në dashuri, mëshirë dhe drejtësi. Dita kur gëzohen të varfërit duke iu lehtësuar jeta dhe duke shijuar komoditet, dita kur farefisi takohen në bamirësi dhe kujdes për njëri-tjetrin, dita kur myslimanët bashkohen në falje dhe vizita reciproke, dita kur miqtë i ripërtërinë urat e dashurisë dhe elementet e afërsisë, dita kur shpirti fisnik i harron gabimet e të tjerëve ndaj tij, bashkohet pas ndarjes.

Me rastin e festës, kryetari i BFI-së Reisul Ulema, Shaqir ef. Fetai, ka dërguar një mesazh urimi për besimtarët e besimit islam me dëshira dhe "duke e lutur Allahun e Madhëruar që të na pranojë agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona dhe të na shpërblejë ashtu siç vetëm Ai di më së miri".
"Fitër Bajrami është një ditë pajtimi dhe afrimi. Është një ditë kur duhet t’i hapim zemrat tona, të falim njëri-tjetrin dhe të forcojmë lidhjet familjare dhe shoqërore. Vizitat, përshëndetjet dhe buzëqeshjet që shkëmbejmë sot janë një shenjë e vlerave të bukura që Islami i vlerëson mes nesh. Le ta shfrytëzojmë këtë festë për të reflektuar mbi veten tonë dhe për të vazhduar në rrugën e mirësisë që filluam në Ramazan. Le të jemi njerëz të paqes, drejtësisë dhe solidaritetit në familjet tona, në shoqërinë tonë dhe kudo që jetojmë. Allahu e bëftë këtë festë burim paqeje, begatie dhe lumturie për të gjithë - theksoi Fetai në urimin.
Fetai thekson se gjatë Ramazanit kemi treguar se jemi të përkushtuar fuqimisht për të ngritur dinjitetin tonë në të gjitha aspektet: fetare, njerëzore, intelektuale dhe shoqërore.
"Gjatë gjithë muajit të Ramazanit, kemi treguar mençurinë, pjekurinë, paqen dhe solidaritetin tonë të palëkundur. Në këtë festë të madhe shpirtërore, gëzohemi që kemi triumfuar mbi destruktivitetin, materializmin, egoizmin dhe xhelozinë. Duke vepruar kështu, i kemi dërguar botës një mesazh se vlerat morale janë qëllimi më i lartë i aktivitetit njerëzor. Me ndjenjën e urisë dhe etjes, i kemi bërë thirrje botës të kujdeset më shumë për njeriun. Paqja që kultivojmë gjatë Ramazanit ka treguar se njerëzimi duhet t'i përkushtohet respektimit të vlerave njerëzore, duke shmangur vrasjet, luftën, masakrat dhe gjenocidet. Gjithashtu, jemi përpjekur të distancohemi nga veset dhe të këqijat, duke treguar se çdo shoqëri duhet të luftojë kundër anomalive që kërcënojnë jetën dhe rininë e saj, siç janë alkoolizmi, prostitucioni, varësia nga droga, korrupsioni dhe fenomene të tjera që dëmtojnë njeriun dhe shoqërinë. Në këtë festë të madhe të Fitër Bajramit, qëndrojmë me krenari para Allahut të Plotfuqishëm, duke shpresuar për mëshirën dhe bekimet e Tij. Sot presim shpërblimet e Tij të pakufishme për agjërimin tonë, për lutjet tona të sinqerta, për adhurimin tonë dhe për sakrificat që bëmë gjatë muajit të Ramazanit - thiotë në urimin kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir ef. Fetai. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s