Mucunski për planin e veprimit për pakicat: Do të pranohen vërejtjet objektive dhe të zbatueshme, ka tendencë në paraqitjen e Bullgarisë
- – Të gjitha vërejtjet për planin e veprimit për pakicat, të cilat nuk janë tendencioze dhe janë të zbatueshme në mënyrë objektive, do të pranohen, thotë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Shkup, 12 janar 2026 (MIA) – Të gjitha vërejtjet për planin e veprimit për pakicat, të cilat nuk janë tendencioze dhe janë të zbatueshme në mënyrë objektive, do të pranohen, thotë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Mucunski informoi se kanë arritur vërejtje nga shoqata të pakicave në vend dhe nga ana e Bullgarisë dhe se për momentin po analizohen të gjitha vërejtjet, ndërsa do të zbatohen ato propozime të cilat janë bërë drejt përmirësimit të dokumentit.
“Në vargun e vërejtjeve ka edhe objektive që mund të përfshihen, ndërsa ka edhe vërejtje që janë tendencioze, subjektive dhe nuk janë të drejtuara drejt përmirësimit të dokumentit. Duhet të kufizojmë mes asaj që mund ta zbatojmë dhe atë që nuk mund ta zbatojmë sepse paramendoni nesër e publikojmë dokumentin dhe në të ka diçka që nuk mund ta zbatojmë. E njëjta kjo Bullgari do të kontestojë para Bashkimit Evropian se nuk po përparojmë në lidhje me planin e veprimit për pakicat. Duhet t’i shohim këto çështje përgjatë prizmit themelor sepse dokumentet e tilla krijojnë detyrime edhe për shtetin edhe për institucionet e tij”, deklaroi sot Mucunski.
Në lidhje me Bullgarinë thotë se e dëshpëron mënyra në të cilën Sofja vendos të komunikojë në këtë temë.
“Fakti se një pjesë e madhe e vërejtjeve që vijnë nga ata nuk janë vërejtje të dhëna në besim të mirë dhe nuk janë vërejtje që në bazë e kanë pasqyrën objektive për gjendjen me të drejtat e pakicave. Ka tendencë në paraqitjen e Bullgarisë dhe këtë më së miri e patë përmes kumtesës së Ministrisë së tyre të Punëve të Jashtme për çka ne u përgjigjëm në mënyrë adekuate. Meqë ra fjala, edhe qasja drejt gjuhës maqedonase në kuadër të këtij publikimi ishte e turpshme dhe jo korrekte”, tha Mucunski.
Për vetë planin e veprimit, thotë se është dokument i shkëlqyer për të cilin mund të ketë vërejtje objektive dhe se në të kanë punuar ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa ishte angazhuar edhe ekip i ekspertëve të Këshillit të Evropës. Ai nuk është dokument për pakicën bullgare, ai është dokument i drejtuar drejt përmirësimit të gjendjes me të gjitha të drejtat e pakicave në shtet, thekson Mucunski.
“Kemi hartuar dokument të shkëlqyer, i cili mund të ketë kritika objektive që do ta përmirësonin atë, por dua të theksoj se nuk është dokument për pakicën bullgare në vend. Është dokument që synon përmirësimin e situatës me të drejtat e pakicave brenda vendit tonë. Të gjithë ekspertët ndërkombëtarë vërejnë se kemi standarde më të larta se shumë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për këtë çështje, por gjithmonë mund të bëjmë më mirë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se po krijojmë një dokument që duhet të miratohet nga Qeveria dhe të cilin do të duhet ta zbatojmë. Qëllimi nuk është të zbatojmë gjithçka, ne do të zbatojmë çdo vërejtje që është objektive dhe që vendi mund ta zbatojë”, tha Mucunski para takimit me udhëheqësinë e "Maqedonia 2025". fc/
Foto: MIA