• четврток, 25 декември 2025

Mucunski: Nuk duhet të ketë asnjë dyshim nëse integrimi evropian është në interesin tonë, por duhet të ketë një kornizë për parashikueshmëri dhe garanci

Mucunski: Nuk duhet të ketë asnjë dyshim nëse integrimi evropian është në interesin tonë, por duhet të ketë një kornizë për parashikueshmëri dhe garanci

Shkup, 22 dhjetor 2025 (MIA) - Për integrimin tonë evropian, së pari nuk duhet të ketë asnjë dyshim se interesi ynë është të gjendet një zgjidhje për këtë kontest që qartë ekziston me Bullgarinë. Më inkurajon fakti që gjithnjë e më shumë vende anëtare, si dhe institucionet evropiane, zhvillojnë një vetëdije dhe deri diku edhe një kuptim për pozicionet tona. Dhe shpesh dëgjoj momentin lidhur me çështjen e parashikueshmërisë me kundër-argumentin se parashikueshmëria nuk është diçka që mund të merret me siguri përmes rrugës së integrimeve evropiane. Por, të gjithë atyre ua them se edhe rasti ynë i integrimit evropian nuk mund të matet, as të krahasohet me asnjë rast tjetër në historinë më të re, tha në konferencën e sotme për mediat ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. 

Ai theksoi se para disa ditësh, në një diskutim në Paris, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, e kujtoi rrugën evropiane të vendit tonë. Mucunski përsëriti se vendi ynë gjatë më shumë se 30 viteve të fundit ka ndryshuar disa herë kushtetutën, flamurin, emrin dhe, pa përmendur, siç tha ai, serinë e lëshimeve kombëtare që janë bërë.

"Tani, relativisht, ndoshta lëvizja më e lehtë është, të paktën kështu duket në perceptim, që Qeveria të bëjë ndryshimet kushtetuese, pasi kemi shumicë në Kuvend. Por, çfarë nëse Qeveria e bën këtë dhe e dijmë se pas gjashtë muajsh mund të përballemi përsëri me të njëjtën situatë? A është kjo e përgjegjshme, madje edhe një qasje evropiane. Ne themi se duhet të ketë një kornizë për parashikueshmërinë, të dimë së pari se çfarë interpretojmë të gjithë si zgjidhje nga viti 2022, të marrim një formë të garantimeve institucionale, që identiteti, gjuha dhe historia jonë kombëtare të mos bëhen objekt i negociatave, sepse aktualisht nuk ndihemi komod, se ky është pozicioni ynë. Të dimë se pala tjetër do t’i respektojë konventat ndërkombëtare, siç është angazhuar, dhe do t’i respektojë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që jetojnë në territorin e saj. A janë përcjellë qartë në Bruksel këto qëndrime për të cilat foli kryeministri Mickoski në Kongres, mos keni asnjë dyshim. Për një periudhë të gjatë ato janë pëecjellë në mënyrë të qartë", tha Mucunski në konferencën e përbashkët për mediat me ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali.

Sa i përket inkurajimit nga disa vende anëtare dhe nga institucionet evropiane dhe dëshirës për të krijuar dialog, Mucunski beson se ekziston vërtet dëshira për të vendosur dialog.

"Edhe nga ana jonë ka gatishmëri që edhe nesër të ulem për të biseduar, për të diskutuar se si do ta zhbllokojmë këtë bllokadë jo-principiale që po i bëhet vendit tonë. Por, nëse dikush pret që kjo Qeveri thjesht të pranojë dhe të bëjë lëshime, pa pasur siguri për të ardhmen dhe për përfundimin e rrugës evropiane, që, po, në fakt do të varet nga ne dhe nga reformat që do të zbatojmë, opinioni e di mirë se nga ana jonë nuk ka një gatishmëri të tillë, sepse nuk planifikojmë të krijojmë një rrugë pa dalje siç e krijuan paraardhësit tanë", theksoi Mucunski.

Sipas tij, kompleksiteti i tërë situatës është gjendja e brendshme politike në Bullgari dhe për këtë, siç tha, jemi maksimalisht të kujdesshëm edhe për gjithçka që do të themi publikisht.

Ai njoftoi se qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet të jenë të sigurt se ka një Qeveri, që mendon për rrugën evropiane, veçanërisht në pjesën e reformave të brendshme, dhe shtoi se kjo shihet edhe nga ligjet që në këtë periudhë kalojnë në procedurë parlamentare. qa/

Foto dhe video: MIA

 

 

Остани поврзан