Mucunski: Mbi 60 për qind e kandidatëve të rinj për ambasadorë janë diplomatë profesionalë
- Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para fillimit të Forumit të biznesit Maqedoni-Sllovaki, tha se mbi 60 për qind e kandidatëve të rinj për ambasadorë janë diplomatë profesionalë nga radhët e të punësuarve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJdheTJ).
Shkup, 19 shkurt 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para fillimit të Forumit të biznesit Maqedoni-Sllovaki, tha se mbi 60 për qind e kandidatëve të rinj për ambasadorë janë diplomatë profesionalë nga radhët e të punësuarve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJdheTJ).
Ai konfirmoi se në seancën e fundit të qeverisë ka propozuar disa emra, të cilët do t’i konfirmojë pas marrjes së agremanëve.
"Procesin e emërimit dhe plotësimit të vendeve të shefave të misioneve diplomatike dhe konsullore në përputhje me Ligjin për Punët e Jashtme e koordinojë, por i gjithë procesi kërkon koordinim me presidenten e shtetit dhe kryeministrin. Pas kryerjes së këtij koordinimi me presidenten dhe kryeministrin, në seancën e fundit të Qeverisë mund të konfirmoj saktësisht se kam propozuar disa emra, si ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, për plotësimin e disa vendeve të shefave të misioneve diplomatike dhe konsullore", tha Mucunski.
Ai theksoi se mbi 60 për qind e kandidatëve të rinj për ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm janë diplomatë profesionalë nga radhët e të punësuarve në MPJdheTJ, me një karrierë të pasur diplomatike prej më shumë se 20 vjetësh, dhe siç theksoi, "kjo lidhet me përkushtimin tonë që filloi me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Punët e Jashtme".
Ai shtoi se, për shkak se ky informacion është me karakter të klasifikuar, nuk mund të konfirmojë emrat, por pas marrjes së agremanëve dhe fillimit të procedurave të brendshme në shtet, emrat do të konfirmohen dhe të njejtët do të mbrojnë qëndrimet e tyre para Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvend.
Qeveria në seancën e së martës, siç njoftuan disa media, ka miratuar një listë me nëntë ambasadorë të rinj dhe dy konsuj të përgjithshëm, për në Stokholm, Bukuresht, Prishtinë, Londër, Hagë, Strasburg, Sofje dhe NATO, si dhe konsuj të përgjithshëm në Selanik dhe Melburn.
Për ambasador në Suedi është propozuar Muharem Jusufi, kuadër i MPJdheTJ, ndërsa Orhan Murtezani nga pozicioni i tij si ministër për Çështjet Evropiane shkon si ambasador në selinë e NATO-s në Bruksel.
Ish ambasadori në Ukrainë, Krum Efremov, është propozuar për ambasador në Sofje, në Rumani është propozuar Gabriel Atanasov nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, ndërsa për ambasador në Prishtinë është propozuar Katerina Todorovska.
Linda Salieska Iljazoska nga MPJdheTJ është propozuar për pozicionin e ambasadores në Hagë, ndërsa Ilina Mangova, e cila vjen nga sektori joqeveritar, është propozuar për ambasadore në Londër. Svetlana Geleva është propozuar për një mandat të dytë në Këshillin e Evropës në Strasburg. Në listë përmenden gjithashtu dy emra për konsuj të përgjithshëm – Tomislav Dimitrovski në Selanik dhe Aleksandar Kërstevski në Melburn, të dy nga MPJdheTJ. qa/
Foto: MIA