• петок, 20 февруари 2026

Muaji i Ramazanit- agjërim, lutje dhe përkushtim shpirtëror!

Muaji i Ramazanit- agjërim, lutje dhe përkushtim shpirtëror!

Shkup, 20 shkurt 2026

Muaji i Ramazanit ka nisur për besimtarët myslimanë në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën ku jetojnë. Përgjatë 30 ditëve, besimtarët nuk duhet të konsumojnë ujë e ushqim në një orar të caktuar në shenjë sakrifice e përkushtimi ndaj Zotit. Kjo quhet një periudhë e shenjtë për myslimanët, me rrënjë të lashta dhe rituale shumë të veçanta. 

Sipas religjionit islam, Ramazani është muaji kur ajetet e para të Kuranit iu shpallën Profetit Muhamed më shumë se 1.400 vjet më parë. Agjërimi i cili është një nga shtyllat e islamit është i detyrueshëm për të gjithë besimtarët për pastrimin e tyre fizik dhe shpirtëror. 

Origjina dhe rregullat

Ramazani është emri i muajit të nëntë të vitit në kalendarin hënor mysliman, në të cilin sipas traditës islame, Muhamedi mori shpalljen e Kuranit “si udhërrëfyes për njerëzit me drejtësi dhe shpëtim”.

Kjo formë agjërimi, për besimtarët myslimanë, nënkupton se ata mund të konsumojnë vetëm dy vakte në ditë: një para lindjes së diellit (syfyr) dhe tjetra pas perëndimit të diellit (iftar).

Ramazani është kudo një moment i bashkimit. Është e zakonshme të ftojmë fqinjët dhe shokët për të ndarë së bashku vaktin e mbrëmjes të quajtur iftar dhe për të recituar lutje të veçanta. Xhamitë mbushen me besimtarë për faljen e namazit të teravisë i cili falet pas jacisë dhe shënon një nga momentet më të dashura të këtij muaji, duke krijuar një ndjenjë bashkimi, devotshmërie dhe përulësie. Shoqatat e bamirësisë organizojnë iftare tradicionale gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, si dhe aksione për të siguruar ushqim për familjet në nevojë.

Agjërimi është detyrim fetar

Gjatë këtij muaji, besimtarët kërkojnë falje për mëkatet e së kaluarës, luten për udhëzime dhe ndihmë për të rezistuar ndaj të këqijave të përditshme, si dhe përpiqen të pastrohen nëpërmjet vetëpërmbajtjes dhe veprave të mira. Agjërimi është detyrim fetar për çdo person të moshës madhore, besimtar mysliman i shëndoshë, por nuk është i detyrueshëm për të sëmurët, gratë shtatzëna dhe punëtorët të cilët bëjnë punë të rënda fizike (me mundësi opsionale).

Në perëndim të diellit agjërimi ndërpritet me një gotë ujë, për të vijuar më pas me vaktin e mbrëmjes ose ndryshe (iftar). Agjërimi që fillon para lindjes së diellit deri në perëndim të diellit zgjat diku nga 12 deri në 18 orë, në varësi të vendit ku ndodheni në botë. Myslimanët që jetojnë në vendet më jugore të botës, për shembull si Kili apo Zelanda e Re agjërojnë mesatarisht 12 orë, ndërsa ata që jetojnë në vendet më veriore si Islanda apo Grenlanda kanë agjërim më shumë se 17 orë.

Muaji i Kuranit dhe lutjeve

Myslimanët besojnë se Ramazani është muaji kur Kurani iu shpall Profetit Muhamed. Rreth 1.400 vjet më parë, besohet se Profeti Muhamed ishte duke medituar në një shpellë kur engjëlli iu afrua atij.

Engjëlli ia zbuloi fjalët e para të Kuranit, profetit Muhamed – dhe i tha atij se ato ishin një urdhër i drejtpërdrejtë nga Zoti. Kjo natë njihet si Nata e Kadrit dhe kujtohet nga myslimanët përmes akteve të adhurimit gjatë gjithë natës. Kjo është dita më e rëndësishme e Ramazanit e cila zhvillohet gjatë dhjetë ditëve të fundit të muajit. 

Pas agjërimit të Ramazanit, më 20 mars është Bajrami i Ramazanit i cili festohet tri ditë. Atëherë e gjithë familja grumbullohet në tryezën festive, ndërsa vizitohen familjarët dhe miqtë. Dita e parë e Bajramit të Ramazanit është festë shtetërore dhe 20 mars (e premte) do të jetë ditë jopune për të gjithë qytetarët.

 

 

Остани поврзан