MTD: Po përmbushim detyrimin për "roaming si në shtëpi" - qytetarët më afër BE-së me roaming pa kosto shtesë
- Ministria e Transformimit Digjital (MTD) informon publikun se ndryshimet në Ligjin për komunikime elektronike (LKE) kanë hyrë në procedurë qeveritare dhe të njëjtat janë publikuar në Regjistrin e vetëm nacional elektronik (ENER). Me këto ndryshime, Maqedonia përmbush detyrimet e saja ligjore për t'u përafruar me standardet evropiane në sferën e roamingut, me një qëllim të qartë - më shumë mbrojtje, transparencë më të madhe dhe kosto më të ulëta dhe të parashikueshme për qytetarët kur përdorin shërbimet celulare gjatë roamingut në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Shkup, 21 janar 2026 (MIA) - Ministria e Transformimit Digjital (MTD) informon publikun se ndryshimet në Ligjin për komunikime elektronike (LKE) kanë hyrë në procedurë qeveritare dhe të njëjtat janë publikuar në Regjistrin e vetëm nacional elektronik (ENER). Me këto ndryshime, Maqedonia përmbush detyrimet e saja ligjore për t'u përafruar me standardet evropiane në sferën e roamingut, me një qëllim të qartë - më shumë mbrojtje, transparencë më të madhe dhe kosto më të ulëta dhe të parashikueshme për qytetarët kur përdorin shërbimet celulare gjatë roamingut në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Siç informon ministria, vendi është tashmë pjesë e marrëveshjes rajonale të roamingut në Ballkanin Perëndimor, me të cilën qytetarët përdorin shërbime celulare në vendet e rajonit në kushte si në shtëpi, pa shpenzime shtesë të roamingut.
"Ndryshimet në Ligjin për komunikimet elektronike krijojnë kushte për vendosjen e rregullave të qarta për kufizimin e çmimeve të shërbimeve të roamingut, rritjen e mbrojtjes së përdoruesve përmes informacionit transparent dhe mekanizmave për parandalimin e kostove të larta të papritura dhe forcimin e rolit rregullator të institucioneve kompetente në sferën e komunikimeve elektronike, heqjen e kostove të roamingut gjatë udhëtimit në vendet e BE-së, rritjen e sigurisë ligjore dhe parashikueshmërisë së çmimeve dhe qasje më të lehtë në shërbimet digjitale, shërbimet elektronike dhe komunikimin celular jashtë vendit", thuhet në kumtesë.
Nga ministria theksojnë se me ndryshimet e propozuara bëhet harmonizim me: Direktivën (BE) 2018/1972 për miratimin e Kodit evropian të komunikimeve elektronike; Rregulloren (BE) 2022/612 për roaming në rrjetet publike të komunikimeve mobile brenda Unionit; Rregulloren (BE) 2016/2286 mbi përdorimin e drejtë dhe metodologjinë për vlerësimin e qëndrueshmërisë së heqjes së tarifave shtesë të roamingut; Rregulloren e deleguar (BE) 2021/654 mbi një çmim të vetëm maksimal për thirrjet në rrjetet celulare dhe fikse; Rregulloren (BE) 2018/1971 për themelimin e Organit të Rregullatorëve evropianë për komunikimet elektronike (BEREK) dhe Zyrën e BEREK.
Ministria pret që Qeveria të përcaktojë tekstin e ligjit deri në fund të muajit, ndërsa në shkurt do të dorëzohet në procedurë parlamentare dhe do të miratohet.
Në këtë mënyrë, shtojnë ata, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të gëzojnë përfitimet e zonës së vetme evropiane të roamingut, pa tarifa dhe kosto shtesë të paparashikuara, në të njëjtën mënyrë si qytetarët e BE-së.
Teksti i propozim- ligjit është publikuar në platformën RVNE (ENER) ku të gjitha palët e interesuara do të mund të paraqesin komente dhe sugjerime, ndërsa dokumentet janë të qasshme në linkun e mëposhtëm: https://ener.gov.mk/Default.aspx?item=pub_regulation&subitem=view_reg_detail&itemid=116080.
Foto: arkivi i MIA-s