• вторник, 15 септември 2026

Miteva: Për festimin e pavarësisë nuk janë shpenzuar mjete buxhetore, opozita u përpoq të hedhë njollë politike mbi festimin

Miteva: Për festimin e pavarësisë nuk janë shpenzuar mjete buxhetore, opozita u përpoq të hedhë njollë politike mbi festimin

Shkup, 10 shtator 2026 (MIA) - Për realizimin e ngjarjeve lidhur me festimin e 35-vjetorit të pavarësisë së shtetit nuk janë shpenzuar mjete buxhetore, shpenzimi për këto ngjarje nuk i kushton asgjë qytetarëve dhe ky është një informacion lehtësisht i verifikueshëm,  tha sot në një konferencë për shtyp zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.

Bëhet fjalë, shtoi ajo, për mjete nga fitimi i pashpërndarë i paraparë për vitin 2024, dhe jo për mjete të marra nga buxheti për të financuar festimin.

Në përputhje me konkluzionin e seancës së 167-të të Qeverisë, me të cilin ishin përcaktuar aktivitetet konkrete që duhet të realizohen në kuadër të festimit me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë, siç tha ajo, “Lotarisë Shtetërore” i ishte bërë me dije që të sigurojë mjete nga fitimi i pashpërndarë i paraparë për vitin 2024, në vlerë prej 300 milionë denarësh, për sponsorizimin e ngjarjeve, si dhe të shpallë thirrje publike për mbledhjen e ofertave për realizimin e ngjarjeve të sponsorizuara

"Në përputhje me këto konkluzione, ishte paraparë angazhimi i një artisti botëror të klasit A me produksion të klasit A për një ngjarje në ambient të hapur, i cili me emrin dhe cilësinë e tij garanton pjesëmarrjen e të së paku 30.000 vizitorëve, pastaj organizimi i një ngjarjeje me një yll botëror ndërkombëtar të klasit A, i shoqëruar nga artistë nga Maqedonia, si dhe organizimi i të paktën 12 ngjarjeve në territorin e Maqedonisë në formën e performancave teatrore dhe vizuale me konceptin '35 vjet Maqedoni e pavarur'. Do të më lejoni këtu të bëj një krahasim të rëndësishëm: Përparim Bajrami, Artan Grubi – 8,2 milionë 'në ajër', këto janë mjete që nuk përfunduan te qytetarët, ndërsa këto janë mjete me të cilat festimin e sollëm para qytetarëve", theksoi Miteva

Zëdhënësja e Qeverisë vlerësoi se me festimin u dëshmua se shteti mund të organizojë ngjarje të përmasave botërore dhe qytetarët të kenë mundësi t’i ndjekin dhe të jenë pjesë e tyre në vendin e tyre.

David Geta, theksoi ajo, ishte një segment i të gjithë festimit dhe kulmi i programit, dhe jo zëvendësim për kulturën e Maqedonisë dhe artistët e Maqedonisë.

"Rreth 95 për qind e të gjithë programit përbëhej nga interpretues nga Maqedonia, përmbajtje skenike të Maqedonisë, me çka praktikisht treguam se skena vendore muzikore, skenike dhe teatrore ka kapacitet të organizojë dhe realizojë përmbajtje në nivel që mund të krahasohet me produksionet më të mëdha ndërkombëtare. Konsideroj se kjo është një nga mesazhet më të rëndësishme, sepse qëllimi nuk ishte vetëm të sjellim emra botërorë në Maqedoni, por edhe të tregojmë se artistët e Maqedonisë meritojnë skenë të madhe, publik të madh dhe mbështetje serioze në aspektin e produksionit",  tha Miteva.

Ajo shtoi se pas përfundimit të festimit me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë, në konferencën për shtyp do të bëjnë një përmbledhje që lidhet si me aspektin e organizimit, ashtu edhe me prioritetet e Qeverisë - llogaridhënien dhe transparencën.

"Gjithçka filloi më 2 gusht në Manastir me performancën e Stiv)Aokit, vazhdoi me karvanin 'Dita që shkëlqeu fuqishëm', i cili kaloi nëpër disa qytete të shtetit, me ngjarjet në Strumicë ku performuan Poll Oukenfolld dhe Poll fan Dajk, me spektaklin e rokut ku performuan grupe të rokut të Maqedonisë, me një ngjarje të madhe në sheshin e Shkupit me interpretues nga Maqedonia dhe Hoze Kareras, ndërsa kulmi ishte koncerti në Stadiumin e Qytetit me Dejvid Getan, i cili mblodhi rreth 50 mijë qytetarë. Kur që në fillim u njoftua se Dejvid Geta do të performonte më 8 shtator, shtrohej pyetja pse pikërisht ai dhe pse pikërisht në Ditën e Pavarësisë", tha Miteva.

Sot, shtoi Miteva, pas përfundimit të festimit, mendoj se përgjigjja më e mirë është pikërisht ajo që të gjithë e pamë në terren.

"Ky nuk ishte një festim në të cilin Maqedonia ishte vetëm publiku. Përkundrazi, Dejvid Geta ishte një segment i të gjithë festimit dhe kulmi i programit, dhe jo zëvendësim për kulturën dhe artistët nga Maqedonia. Konsideroj se kjo është një nga mesazhet më të rëndësishme, sepse qëllimi nuk ishte vetëm të sjellim emra botërorë në Maqedoni, por edhe të tregojmë se artistët e Maqedonisë meritojnë skenë të madhe, publik të madh dhe mbështetje serioze në aspektin e produksionit",theksoi ajo, duke falënderuar edhe qytetarët që ishin pjesë e të gjitha këtyre ngjarjeve.

Sipas saj, në opinion gjatë periudhës së kaluar kishte një numër të konsiderueshëm spekulimesh dhe përpjekjesh që i gjithë festimi të paraqitej si diçka jotransparente dhe e diskutueshme, ende pa u realizuar fare.

"Opozita u përpoq të hedhë njollë politike mbi festimin, për fat të keq, janë të gatshëm edhe në këto data të shenjta të përhapin të pavërteta, ky është fakt për ta. Pasuan publikime dhe konstruksione të ndryshme me të cilat krijohej mosbesim te qytetarët. Si Qeveri, gjatë kësaj periudhe vendosëm të mos hyjmë në përplasje të përditshme politike, sepse konsideruam se duhet t’u lëmë hapësirë qytetarëve të kënaqen, t’i shohin ngjarjet dhe të festojnë. Për më tepër, e kuptoj edhe pse opinioni parashtron pyetje, veçanërisht nëse merret parasysh se në të kaluarën kemi pasur mungesë serioze transparence në procedura të tilla. Kjo është edhe arsyeja pse sot konsideroj se përgjigjja më e mirë nuk është vetëm të kemi shpjegime politike, por t’i prezantojmë plotësisht faktet dhe dokumentacionin", tha ajo.

Sa i përket financimit, ajo theksoi se nuk janë të sakta informacionet se qytetarët do ta paguajnë këtë festim nga buxheti.

"Për të gjithë ata që gjatë periudhës së kaluar spekuluan, kundërshtuan, shpifën dhe plasuan informacione se qytetarët do ta paguajnë këtë festim nga Buxheti, sot mund të themi qartë se kjo nuk është e saktë. Për realizimin e këtyre ngjarjeve nuk janë shpenzuar mjete buxhetore nga Buxheti. Shpenzimi nga Buxheti për këto ngjarje nuk i kushton asgjë qytetarëve. Ky nuk është informacion që duhet ta pranoni vetëm sepse vjen nga ne, nga Qeveria, por është lehtësisht i verifikueshëm. Pikërisht për këtë arsye sot me ne është edhe drejtori i Lotarisë Shtetërore, zoti Aleksandar Klimovski, i cili do të shpjegojë si kornizën juridike, ashtu edhe atë financiare, në mënyrë që opinioni të mund ta ketë pasqyrën e plotë se si është siguruar financimi dhe si është zbatuar procedura", theksoi Miteva.

Zëdhënësja e Qeverisë e sqaroi të gjithë procedurën e financimit të festimit.

"Në bazë të konkluzioneve të miratuara në këtë mënyrë, Lotaria Shtetërore merr vendim për formimin e një komisioni për zbatimin e procedurës përmes thirrjes publike. Më 4 maj 2026 e shpall thirrjen publike me numër, theksoj, 01-35C/2026. Në thirrjen publike përcaktohen kushtet që duhet t’i plotësojë ofertuesi, përfshirë edhe kushtin që të ketë realizuar të paktën një ngjarje me kapacitet të konsiderueshëm pjesëmarrjeje, të disponojë ose të ketë siguruar qasje në kapacitete profesionale të produksionit, teknike, skenike dhe logjistike, si dhe të ketë përvojë në organizimin e ngjarjeve publike, koncerteve, festivaleve dhe ngjarjeve të tjera të ngjashme", tha ajo.

Ajo theksoi se në thirrjen publike është dorëzuar një ofertë, “Stardast” DOOEL Shkup, përkatësisht subjekti përmes të cilit në procedurën konkrete paraqitet "Avalon Interneshënall Buking".

"Këtë po e bëj të ditur si të dhënë, sepse edhe rreth kësaj u ngritën pyetje dhe pati përpjekje për të krijuar konfuzion në opinion. 'Avalon Interneshënall Buking' është markë tregtare nën të cilën njihet veprimtaria, ndërsa 'Stardast' DOOEL Shkup është subjekti juridik që është bartës i kësaj veprimtarie dhe tek i cili është transferuar marka tregtare. Pra, nuk bëhet fjalë për dy kompani të pavarura që paraqiten si ofertues të ndryshëm, por për subjektin juridik që e paraqet ofertën dhe markën nën të cilën opinioni e njeh veprimtarinë e kësaj kompanie", tha ajo.

Më tej, shtoi Miteva, sa i përket dokumentacionit, vijon procesverbali i hapjes së ofertës, raporti për procedurën e zhvilluar dhe vlerësimi në përputhje me kriteret e përcaktuara.

"Përzgjedhja nuk bëhet vetëm në bazë të asaj se cili ofertues është i pranishëm në treg, por në bazë të cilësisë, qëndrueshmërisë dhe inovacionit të konceptit dhe programit të propozuar, si dhe përmbushjes së kushteve të përcaktuara me thirrjen publike. Pas përfundimit të procedurës merret vendim për përzgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm, pas së cilës vijon lidhja e kontratës ndërmjet Llotarisë Shtetërore dhe realizuesit", theksoi Miteva.

Ajo sqaroi se në konstruksionin e përgjithshëm financiar të festimit morën pjesë edhe mjete shtesë në vlerë prej 40 milionë denarësh, të siguruara nga kompani me përgjegjësi shoqërore që iu bashkuan realizimit të ngjarjeve

"Këto nuk janë mjete nga Buxheti i shtetit, por mjete nga kompani të cilat gjatë periudhës së kaluar ishin publikisht të pranishme në kuadër të shënimit të festimit dhe publikisht e njoftuan pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre. Edhe kjo pjesë e konstruksionit financiar nuk është diçka që po e zbulojmë sot apo diçka që ka qenë e fshehur nga opinioni, por bëhet fjalë për mbështetje të cilën qytetarët patën mundësi ta shihnin dhe ta ndiqnin gjatë gjithë periudhës", theksoi Miteva.

Ajo konkludoi se ky festim ishte organizuar me një qëllim të përcaktuar qartë, me program konkret dhe me një procedurë që ka kornizën e vet juridike dhe financiare.

"Premtuam një festim dinjitoz dhe qytetarët e morën atë. Premtuam një festim që do ta përfshinte të gjithë shtetin dhe ai u realizua në disa qytete. Premtuam se artistët maqedonas do të kishin vend qendror në program dhe ata ishin dukshëm të përfaqësuar. Treguam se Maqedonia mund të sjellë emra botërorë të klasit A, të cilët mbushin stadiume, por edhe se skena maqedonase ka çfarë të ofrojë dhe ka kapacitet të qëndrojë në një skenë të madhe ndërkombëtare. Dhe së fundi, premtuam transparencë dhe llogaridhënie dhe këtë po e konfirmojmë sot", theksoi Miteva.

Në konferencën për shtyp, drejtori i “Llotarisë Shtetërore”, Aleksandar Klimovski, prezantoi të gjitha bazat juridike dhe vendimet nga procedura.

"Llotaria Shtetërore si kompani është subjekt juridik i veçantë. Qeveria është themeluese e Llotarisë Shtetërore dhe Qeveria paraqitet në cilësinë e Kuvendit të aksionarëve ose të aksionarit të vetëm në rastin konkret dhe është një nga organet më të larta në vetë kompaninë. Ky sponsorizim është dhënë, domethënë këto mjete janë siguruar në bazë të Ligjit për sponsorizime dhe donacione, dhe jo në bazë të Ligjit për prokurime publike. Konkretisht, bëhet fjalë për mjete në vlerë prej 300 milionë denarësh, të cilat ishin në zërin e fitimit të pashpërndarë dhe ishin para të kompanisë. Ato janë para të vetë kompanisë. Kompania është entitet juridik i veçantë që ka subjektivitet juridik të veçantë, të ndarë nga subjektiviteti i Qeverisë ose i cilitdo institucion tjetër. Fakti që Qeveria paraqitet si themeluese e asaj kompanie, kjo është në cilësinë e saj si aksionare. Pra, të jemi të qartë, ato para nuk janë para buxhetore", theksoi Klimovski

Ai sqaroi se paratë buxhetore bëhen në momentin kur organet e shoqërisë e përcaktojnë atë fitim të pashpërndarë në pasqyrat financiare si dividendë dhe japin urdhër që ai të paguhet në llogarinë e thesarit.

"Në momentin kur mjetet paguhen në llogarinë e thesarit nga fitimi i kompanisë, pasi të jenë kaluar të gjitha procedurat në kompani, atëherë marrin statusin e mjeteve në buxhet. Për sa kohë që qëndrojnë në llogaritë e kompanisë, ato janë para korporative. Kjo është e para dhe themelorja, duke pasur parasysh statusin e mjeteve. Kjo procedurë që e thashë për kërkesën e parë është e saktë. Pra, që transparenca në dhënien e këtij sponsorizimi të jetë mbi kërkesat e Ligjit për donacione dhe sponsorizime dhe të tjera, sa i përket shpalljes së konkursit, afateve të kohëzgjatjes së atij konkursi, formimit të një komisioni të jashtëm nga ekspertë të cilët do të konfirmojnë se parashtruesi i kërkesës për sponsorizim i plotëson kushtet e përcaktuara, këto janë kërkesa që nuk i parashikon Ligji për sponsorizime dhe donacione, por për shkak të mbrojtjes së parave të kompanisë dhe për shkak të ngritjes së shkallës së transparencës dhe konkurrueshmërisë, ne ndërmorëm hapa dhe shkuam edhe përtej kërkesës së përcaktuar në Ligjin për donacione dhe sponsorizime", tha ai.

Klimovski i sqaroi hapat e ndërmarra sipas të cilave ishte zhvilluar e gjithë procedura.

"Qeveria si aksionare, e vetme dhe themeluese e Llotarisë Shtetërore, në seancën e Qeverisë miraton një konkluzion me të cilin e ngarkon Llotarinë Shtetërore që fitimin e pashpërndarë ta përdorim për këtë qëllim, dhe jo, për shembull, për blerjen e aparateve VLT, për blerjen e disa materialeve joproduktive, siç është bërë në vitet e mëparshme. Në këtë kuptim, dokumenti i parë nga ku nis e gjithë procedura është Ekstrakti nga Procesverbali i Projektit nga seanca e 167-të e Qeverisë, më 28 prill, me udhëzime të sakta për fillimin e procedurës. Qeveria, si aksionare e vetme në shoqërinë aksionare, Kuvend i aksionarëve, na jep urdhër neve, organeve të shoqërisë, Bordit Drejtues dhe Bordit Mbikëqyrës, që të fillojmë një procedurë për ndarjen e këtyre mjeteve dhe për të zgjedhur një organizator i cili do të ketë kapacitet dhe cilësi për t’iu përgjigjur kësaj ngjarjeje madhështore", tha ai.

Ai shtoi se sipas Ligjit për donacione dhe sponsorizime nuk është e nevojshme të formohet një komision i tillë, por përsëriti se, për shkak të ngritjes së nivelit të profesionalizmit në përcaktimin e një personi, organizatori që do të jetë përgjegjës për këtë lloj ngjarjeje, atyre u nevojitej të gjenin ekspertë të njohur dhe t’i përfshinin në komision, për t’u thënë nëse dokumentet ose kërkesat për sponsorizim të dorëzuara më pas gjatë procedurës nga parashtrues të ndryshëm i plotësonin apo jo kriteret e përcaktuara.

"Ne nuk mund t’i transferojmë kujtdo 5 milionë euro, përkatësisht 300 milionë denarë, për organizimin e një spektakli. Na duhej një kompani me reputacion, një agjenci me reputacion, e cila ka përvojë, ka eksperiencë, ka nënkontraktorë, në mënyrë që të mund t’i përgjigjet një organizimi të këtij lloji. Më tej, që edhe një herë transparenca të ngrihej në një nivel përtej ligjit, përtej kërkesave të Ligjit për sponsorizime dhe donacione, më 4 maj shpallëm thirrje publike, e cila zgjati 5 ditë për dorëzimin e programeve përkatëse. Afati për thirrjen publike ishte deri më 8 maj, në orën 12:00. Është dorëzuar një ofertë më 8 maj, pak para përfundimit të afatit, saktësisht në orën 10:4", sqaroi Klimovski.

Më tej ai sqaroi procedurën e hapjes së ofertës, pasi kishte arritur vetëm një ofertë.

"Kemi Raportin për procedurën e zhvilluar dhe, normalisht, në bazë të të gjitha këtyre dokumenteve të mëparshme, drejtori i përgjithshëm i Llotarisë merr Vendim për përzgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm për mbledhjen e ofertave për realizimin e ngjarjeve të sponsorizuara me rastin e shënimit të 35-vjetorit të mëvetësisë dhe pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut", shtoi Klimovski.

Boban Milloshevski nga “Avallon” tha se synimi kishte qenë që të festohej gjatë gjithë muajit në mbarë Maqedoninë dhe të përfshiheshin të gjitha grupet e synuara të publikut.

"Unë do të them vetëm se kur bashkë me Marija Mitevskën bëmë konferencën e parë për shtyp, kishte një revoltë të caktuar, por ne e dinim se ajo do të neutralizohej me kalimin e kohës, sepse njerëzit mendonin se pjesa e vetme e festimit do të ishte koncerti me Dejvid Getan. Jo, synimi ishte të festohej për një muaj, të festohej në të gjithë Maqedoninë dhe të përfshiheshin, gjëja më e rëndësishme, të gjitha grupet e synuara të publikut dhe kjo të kishte jo vetëm karakter festiv, por edhe një karakter edukativ", tha Milloshevski.

Ai theksoi se koncerti me Dejvid Getan është projekti më i madh që kanë realizuar në Maqedoni si “Avalon Produksion”.

"Avalon Produksion është shtëpia më e madhe e pavarur promovuese në Ballkan gjatë 30 viteve të fundit dhe jemi shumë krenarë dhe të kënaqur që, megjithëse kemi realizuar shumë projekte serioze me 20, 25, 30, 40 mijë vizitorë, megjithatë në Maqedoninë tonë realizuam projektin më të madh, që është projekti me Dejvid Getan. Ndoshta projekti me Dejvid Getan ju duket i çuditshëm, i pazakontë dhe i panevojshëm, por unë t’ju them se çfarë është dhe cili ishte synimi me Dejvid Getan. Ajo që bëmë ne me Dejvid Getan në Shkup është plotësisht e njëjtë sikur, për shembull, në Stajkovc të organizohej një garë e Formula 1 me të gjitha atributet e mundshme të nevojshme që kërkon Formula 1", shtoi Milloshevski.

Ai shtoi se e kishin arritur efektin që e gjithë Evropa Lindore të fliste se Maqedonia e kishte festuar 35-vjetorin me Dejvid Getan dhe me një spektakël “full monolith”.

"Një spektakël të tillë Dejvid Getan pati këtë vit vetëm në Francë, tre koncerte në Paris dhe një në Marsejë, do të ketë në Amsterdam Arena para 80 mijë vizitorëve dhe e pati në Shkup. Të gjithë kolegët e mi që punojnë në koncerte shumë më të mëdha se ato që organizojmë ne erdhën në Shkup për ta parë dhe për t’u mahnitur; ishte e pabesueshme që një spektakël “full monolith”, fjalë për fjalë me të njëjtat përmasa si ai në Paris, u vendos në Shkup. Përsa i përket mënyrës se si kaloi spektakli te publiku, sa i përket faktit se unë jam shumë i befasuar këndshëm që kishim në parter rreth 30 mijë të rinj që këndonin në mënyrë perfekte këngë në gjuhën angleze, se kaloi pa asnjë incident, se kaloi në nivelin më të lartë botëror. Më telefononin njerëz që kishin qenë për të parë spektakle të tipit të Heri Stajlls etj., të cilët thonë se edhe në aspektin e produksionit, edhe në atë organizativ, në Evropën Perëndimore nuk ishte në nivelin në të cilin ishte koncerti i Dejvid Getas në Shkup. Pra, sikur të ishte vetëm koncerti i Dejvid Getas si festim për 35 vjet të Maqedonisë, mund të diskutojmë, por meqë ai ishte vetëm një pjesë e vogël, por megjithatë kulmi, mendoj se ishte hapi i duhur",  theksoi Milloshevski. qa/

Foto: MIA