Ministrat e energjetikës nga G7, shtyjnë vendimin për lirimin e rezervave strategjike
- Ministrat e energjetikës së vendeve nga G7 sot hoqën dorë nga vendimi i menjëhershëm për të liruar rezervat strategjike të naftës dhe kërkuan nga Agjencia ndërkombëtare e energjisë (IEA) ta vlerësojë situatën përpara se të ndërmarrë hapa të mëtejshëm.
Bruksel, 10 mars 2026 (MIA) – Ministrat e energjetikës së vendeve nga G7 sot hoqën dorë nga vendimi i menjëhershëm për të liruar rezervat strategjike të naftës dhe kërkuan nga Agjencia ndërkombëtare e energjisë (IEA) ta vlerësojë situatën përpara se të ndërmarrë hapa të mëtejshëm.
IEA paralajmëroi takim të jashtëzakonshëm të anëtareve të saja për të dhënë një vlerësim të detajuar të skenarëve të mundshëm.
"Të gjithë janë të gatshëm të marrin masa për ta stabilizuar tregun", tha ministri francez i Financave, Roland Leskir, duke shtuar se ministrat i kërkuan IEA-s të zhvillojë opsione për lirimin e mundshëm të rezervave të naftës dhe se është e rëndësishme të ketë gatishmëri për të vepruar në çdo kohë.
Pas paralajmërimit, çmimet e naftës ranë për rreth 7 për qind, ndërsa presidenti amerikan, Donald Tramp parashikoi se konflikti në Lindjen e Mesme mund të përfundojë së shpejti, duke lehtësuar frikën e ndërprerjeve afatgjata të furnizimit.
Liderët e Bashkimit Evropian do të diskutojnë mbi konkurrueshmërinë dhe çmimet e energjisë më vonë sot, duke përfshirë bisedime me kancelarin gjerman Fridrih Merc, kryeministren e Italisë, Xhorxha Meloni dhe kryeministrin belg, Bart De Vever.
Qeveritë evropiane po përballen me mundësinë e një përsëritjeje të krizës energjetike të vitit 2022, kur çmimet e larta të energjisë detyruan disa industri të mbyllen përkohësisht pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë.
BE-ja importon më shumë se 90 për qind të naftës dhe rreth 80 për qind të gazit, ndërsa kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen ka thënë se kriza aktuale ka treguar qartë dobësinë e Evropës ndaj varësisë nga importet e shtrenjta dhe të paqëndrueshme të karburanteve fosile.
Anëtare të G7 janë SHBA, Kanadaja, Japonia, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca.
Foto: G7