• вторник, 30 декември 2025

Mickoski: Shkalla e varfërisë shënon ulje, ndërsa indeksi Gini për herë të parë është nën 30 për qind në 30 vitet e fundit

Mickoski: Shkalla e varfërisë shënon ulje, ndërsa indeksi Gini për herë të parë është nën 30 për qind në 30 vitet e fundit

Shkup, 29 dhjetor 2025 (MIA) - Kryeministri i Qeverisë, Hristian Mickoski, sot para mediave theksoi se Qeveria vazhdimisht punon për përmirësimin e kushteve të jetesës së popullatës dhe për një barazi më të madhe në shpërndarjen e të ardhurave te popullata.

Gjatë vizitës së sotme në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë – Shkup, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai u ndal edhe te të dhënat e fundit statistikore për varfërinë në vend. Duke folur për shkallën e varfërisë dhe të ashtuquajturin "indeksi Gini", kryeministri tha se ky tregues, i cili tregon nivelin e shpërndarjes së të ardhurave te popullata, në vitin 2024 ka qenë më i ulët krahasuar me vitin paraprak dhe, në një vështrim më të gjerë, më i favorshmi gjatë katër viteve të fundit.

"Nëse në vitin 2020 shkalla e varfërisë ka qenë 23 për qind, në vitin 2024 ishte 21,9 për qind. Kur bëhet fjalë për pabarazinë e të ardhurave, përkatësisht të ashtuquajturin indeksi Gini në Maqedoni në vitin 2024 për herë të parë në tridhjet vitet e fundit është nën 30 për qind. Nga 33,3 për qind tani ka rënë në 29,1 për qind dhe është më i miri në rajon... Ndoshta dikush do të tallet, por ky indeks është më i mirë se mesatarja evropiane dhe se të gjitha shtetet e rajonit, çka do të thotë se ka barazi më të madhe në shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet popullsisë", deklaroi kryeministri Mickoski.

Ai theksoi se Qeveria do të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive në programe për përmirësimin e gjendjes, duke u drejtuar një nxitje komunave që të vazhdojnë me projekte si ai për parcelizimin për çiftet e reja, lirimin nga pagesa e shërbimeve komunale...

Sa i përket rritjes së indeksit të varfërisë në kategorinë e pensionistëve, kryeministri theksoi se pikërisht për shkak të këtij treguesi ishte marrë vendimi për rritje lineare të pensioneve.

"Pres që parametri i laekenit, gjegjësisht shkalla e varfërisë në grupin e pensionistëve në vitin 2025, të përmirësohet ndjeshëm. Me rritjen prej 2.500 denarësh në nëntor të vitit 2024, pastaj 2.500 denarë rritje lineare në prill të vitit 2025 dhe 1.000 denarë në nëntor, pres që shkalla e varfërisë  në grupin e pensionistëve të përmirësohet ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme", tha ai. 

Mickoski theksoi se rezultatet përfundimtare në përmirësimin e indeksit të varfërisë tek pensionistët ende nuk mund të vërehen plotësisht, për shkak se rritjet kryesore të pensioneve janë zbatuar në fund të viteve kalendarike, në muajin nëntor, por se nëse krahasohet me vitin 2023, padyshim do të shihet se ka përmirësime, dhe atë për 1,23 për qind.

"Kjo nuk është e mjaftueshme, por do të vërehet kur të publikohen të dhënat për vitin 2025", tha ai.

Kryeministri Mickoski sot e vizitoi Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë të Qendrës Klinike "Nënë Tereza" në Shkup, ku u përmbyll procesi i rindërtimit dhe i furnizimit me pajisje të reja për klinikën. qa/

Foto: MIA

 

Остани поврзан