• сабота, 16 мај 2026

Mickoski: Pritet që dizeli të lirohet për 2 deri në 2.5 denarë, Maqedonia tashmë dy muaj është shembull se si po përballet me krizën energjetike

Mickoski: Pritet që dizeli të lirohet për 2 deri në 2.5 denarë, Maqedonia tashmë dy muaj është shembull se si po përballet me krizën energjetike

Shkup, 27 prill 2026 (MIA) - Sipas kalkulimeve të Qeverisë, sot pritet që nafta të shitet më lirë në pikat e karburantit edhe atë për dy deri në dy denarë e gjysmë, ndërsa për çmimin e benzinës pritet një rritje e vogël, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski i cili u përgjigj në pyetjen e gazetarëve në lidhje me masat e ndërmarra nga Qeveria. Mickoski tha se Maqedonia ka qenë shembull për dy muaj për mënyrën se si përballet me këtë krizë energjetike.

"Kjo është një krizë e importuar për shkak të zhvillimeve gjeopolitike. Ne jemi një nga vendet e rralla që ndërmorëm menjëherë masa kaq të fuqishme dhe kështu arritëm ta mbajmë nivelin në kufijtë më të mirë. Sipas përllogaritjeve tona, pres që nafta përsëri të lirohet sot për rreth dy deri në dy denarë e gjysmë, sepse javën e kaluar mesatarja ishte e tillë", deklaroi Mickoski.

Ai pret rritje të vogël të benzinës, por siç tha, "këtu TVSH-ja është 10% dhe këtë javë do të mbetet në 10%.". Kryeministri njoftoi se deri në fund të javës do të bëjnë llogaritjet dhe do të marrin vendimin se si të vazhdojnë.

"Mbetet në funksion deri në fund të prillit me OKTA-n. Pra, absolutisht si Qeveri këto dy muaj kemi luftuar me kokëfortësi dhe kemi arritur të mos lejojmë, si shumë herë në të kaluarën, të jemi në fund, por përkundrazi të jemi në krye, sipas përqindjes së matjeve të BPV-së sonë. Nga ana tjetër, nuk duhet të kemi tronditje çmimesh dhe inflacion me përqindje dyshifrore, siç ishte rasti në vitin 2022, duke marrë parasysh se kjo krizë energjetike është më e madhe se të tre krizat e mëparshme energjetike, ajo e vitit 2022 dhe e viteve shtatëdhjetë së bashku. Mendoj se si Qeveri që ka luftuar me këmbëngulësi për dy vjet për të korrigjuar gabimet e bëra gjatë dekadave, arritëm të ruajmë stabilitetin e çmimeve me një qasje konstruktive, ofensive", tha Mickoski.

I pyetur nëse do të vazhdojë marrëveshja me OKTA-n, Mickoski përsëriti përgjigjen se do të flasin këtë javë.

"Ende nuk e kemi hapur temën, por do të flasim këtë javë, do të bisedojmë edhe me ministren e Energjetikës dhe sigurisht brenda mundësive, do të bëjmë gjithçka që të vazhdojë ajo zbritje", ka thënë tha Mickoski.

Sa i përket analizave të publikuara nga gazetat dhe ekspertët e huaj, Mickoski është i mendimit se këto janë analiza të një numri të madh spekulimesh, gjysmë informacionesh, ndonjëherë edhe dezinformata dhe siç shton, "për momentin ajo që mund të them është se askush nuk ka informacionin e saktë, përveç disa njerëzve në botë".

Ai theksoi se vendi ynë nuk ka probleme me furnizimin me naftë dhe derivatet e naftës.

"Do ta përsëris, me masat që kemi aplikuar deri tani, kemi arritur ta mbajmë çmimin të ulët, deri tani më të ulët në rajon, ende kemi presion të shtuar mbi kërkesën nga qytetarët e vendeve fqinje. Ende me vajguri furnizojmë disa nga aeroportet rajonale dhe nuk po shqyrtojmë si qeveri të vendosim një ndalesë për eksportin ose rieksportin e naftës dhe derivateve të naftës dhe si qeveri nuk mendojmë të kufizojmë pompat e benzinës vetëm për të furnizuar me karburant makinat dhe llojet e tjera të automjeteve me targa vendase. Përkundrazi, duam të tregojmë solidaritet me rajonin, por edhe të tregojmë se Maqedonia është faktor stabiliteti në rajon", ka thënë Mickoski i cili inspektoi punimet e rikonstruimit të Sallës universale në Shkup. 

Foto: MIA

Тагови

Остани поврзан