Mickoski: Nëse BE-ja garanton identitetin, le ta konfirmojë me vendim – ne jemi të gatshëm të japim vetëm me garanci të besueshme
- Qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar dhe ato nuk do të ndodhin pa garanci të qarta se procesi i integrimit evropian nuk do të shoqërohet me bllokada dhe kushte të reja dypalëshe, theksoi sonte kryeministri Hristijan Mickoski në lajmet e Radiotelevizionit të Maqedonisë (RTM).
Shkup, 5 shkurt 2026 (MIA) - Qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar dhe ato nuk do të ndodhin pa garanci të qarta se procesi i integrimit evropian nuk do të shoqërohet me bllokada dhe kushte të reja dypalëshe, theksoi sonte kryeministri Hristijan Mickoski në lajmet e Radiotelevizionit të Maqedonisë (RTM).
Ai tha se vendi është i gatshëm të respektojë detyrimet e tij ndërkombëtare, por, siç theksoi, pret të njëjtën gjë nga fqinjët e tij dhe Bashkimi Evropian. Mickoski bëri thirrje për reciprocitet në respektimin e të drejtave, duke treguar konkretisht detyrimet e Bullgarisë për të respektuar vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
"Ne themi këtë: a e respektojmë të gjithë të drejtën ndërkombëtare? Ne e respektojmë atë. Nëse e respektojmë atë dhe nëse jemi të vetëdijshëm për detyrimet e ndërmarra nga qeveria e mëparshme, pavarësisht se sa katastrofike kanë qenë, ato janë ndërmarrë nga qeveria jonë, pavarësisht se kush është kryeministri aktual e të ngjashëm. Pavarësisht nëse u pëlqen apo jo, opsioni është: nëse silleni jashtë institucioneve, do të izoloheni dhe pyetja është se çfarë të ardhmeje e pret shtetin. Sado e hidhur të jetë e gjithë kjo, është realitet", tha Mickoski.
Sipas tij, është një qëndrim parimor për Bullgarinë fqinje që të respektojë konventat që ka ratifikuar, që do të thotë mundësimi i regjistrimit të komunitetit maqedonas.
"Ne kërkojmë gjithashtu që ata të jenë të vetëdijshëm për detyrimet që disa nga qeveritë e tyre kanë ndërmarrë. Nëse një qeveri e fqinjit tonë lindor ka ndërmarrë një detyrim duke nënshkruar dhe ratifikuar rezoluta, konventa për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke respektuar vendimet e Gjykatës së Strasburgut për të Drejtat e Njeriut e kështu me radhë, ajo që presim është që ata t'i respektojnë ato. Dhe kjo është që t'i lejohet komunitetit maqedonas të regjistrohet si një organizatë në të cilën mund të bashkëveprojë në mënyrë kulturore dhe arsimore; ai komunitet ka përfaqësuesin e vet në Këshillin e Ministrave për të Drejtat e Pakicave, i cili funksionon në kuadër të qeverisë së fqinjit tonë lindor. Ky është një qëndrim parimor", thotë Mickoski.
Ai iu referua edhe bisedimeve me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, nga të cilët, tha ai, mori garanci se BE-ja nuk do të lejojë bllokada të reja dhe se e njeh identitetin maqedonas. Megjithatë, Mickoski mbetet i vendosur në qëndrimin se këto garanci duhet të zyrtarizohen përmes një përfundimi të Këshillit të BE-së.
Lidhur me informacionin rreth "nonpejperit" të mundshëm nga eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos, ose dokumenteve të reja për të lehtësuar anëtarësimin, kryeministri informoi se një dokument i tillë nuk ka mbërritur ende.
Ai paralajmëroi për kujdes në deklarata, sepse, vlerësoi ai, procesi varet më pak nga ne, sesa nga vullneti politik i shteteve anëtare për të pranuar metodologji të reja, siç është integrimi gradual.
"Nëse ekziston vullnet politik midis shteteve anëtare, atëherë ato duhet ta pranojnë propozimin që do të vijë nga Komisioni për lehtësimin e procesit të pranimit, ose ndonjë metodologji të re, ose, siç thonë ata, "gradual integration", domethënë integrim gradual, i cili do të kishte "masa mbrojtëse" ose mekanizma të caktuar mbrojtës. Çfarë do të thoshte kjo, mekanizma mbrojtës? Se nuk mund t’i përdorni fondet strukturore për gjithçka. Kishte një ide që këto vende të Ballkanit Perëndimor nuk do të kishin të drejtën e vetos, dhe dikush madje shkoi aq larg sa të mos kishte komisar për diçka. Pra, e gjithë kjo po vihet në tryezë si ide, por ende nuk ka asnjë formë", përfundoi Mickoski në intervistën për RTM-në. sa/
Foto: MIA arkivi