Mickoski në takim me udhëheqësinë e 4IG, pako prej 100 milionë eurosh investime në telefoni, inteligjencë artificiale dhe energjetikë
- Kryeministri Hristijan Mickoski, sot në kuadër të Konferencës së 62-të të sigurisë në Munih, zhvilloi takim me udhëheqësinë e 4IG.
Shkup, 13 shkurt 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski, sot në kuadër të Konferencës së 62-të të sigurisë në Munih, zhvilloi takim me udhëheqësinë e 4IG.
Siç informon kryeministri në rrjetet sociale, kanë biseduar për një pako prej 100 milionë euro investime në disa fusha në vend.

"Në Munih zhvillova takim me udhëheqësinë e 4IG. Biseduam për pakon prej 100 milionë eurosh investime, përveç në telefoninë dhe në fushën e inteligjencës artificiale dhe energjetikë. Duhet ta zhvillojmë Maqedoninë. Luftojmë për çdo shans për një të ardhme më të mirë për qytetarët!, shënoi Mickoski në "Fejsbuk".
Paraprakisht, kryeministri zhvilloi takim pune me menaxhmentin e gjigantit gjerman "Shvarc grup" nën të cilin punojnë brendet e njohura botërore "Lidl" dhe "Kaufland".

Siç njoftoi kryeministri, kanë biseduar për planet e tyre për investime, hapjen e vendeve të reja të punës dhe modernizimin e sektorit tregtar në vendin tonë.
Kryeministri Mickoski prej sot qëndron në një vizitë disaditëshe në Republikën Federale të Gjermanisë, ku merr pjesë në Konferencën e 62-të të sigurisë në Munih, në të cilën, siç njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, do ta riafirmojë përcaktimin e shtetit për një proces të parashikueshëm dhe korrekt të integrimit në Bashkimin Evropian, pa kushtëzime dypalëshe plotësuese.
Mickoski është shoqëruar nga ministrat e Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, dhe për Punë të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Në kuadër të konferencës, shefi i Qeverisë do të zhvillojë disa takime dypalëshe me udhëheqës evropianë, përfaqësues të lartë dhe drejtues të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë. Bisedimet, siç informohet nga Qeveria, do të përqendrohen në stabilitetin gjeopolitik rajonal dhe rolin e vendit tonë si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe anëtar aktiv i NATO-s.
Në margjinat e Konferencës së sigurisë në Munih janë planifikuar edhe takime me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, si dhe me shefat e shteteve dhe qeverive. sa/
Foto: Fejsbuku i kryeministrit Hristijan Mickoski