Mickoski: Nuk ka krizë, likuiditeti është siguruar, presim jo vetëm t'i arrijmë të ardhurat, por edhe do t'i tejkalojmë
- Qeveria për mandat katërvjeçar duhet të kthejë gjashtë miliardë euro, borxhe të cilat i ka marrë qeveria e LSDM-së dhe BDI-së. Vetëm vitin e ardhshëm shteti duhet të kthejë borxhe së bashku me deficitin buxhetor rreth 2,2 miliardë euro. Por, krizë nuk do të ketë, likuiditeti është siguruar, presim jo vetëm t'i arrijmë të ardhurat, por edhe do t'i tejkalojmë, theksoi sot kryetari i Qeverisë, Hristian Mickoski.
Shkup, 26 dhjetor 2025 (MIA) - Qeveria për mandat katërvjeçar duhet të kthejë gjashtë miliardë euro, borxhe të cilat i ka marrë qeveria e LSDM-së dhe BDI-së. Vetëm vitin e ardhshëm shteti duhet të kthejë borxhe së bashku me deficitin buxhetor rreth 2,2 miliardë euro. Por, krizë nuk do të ketë, likuiditeti është siguruar, presim jo vetëm t'i arrijmë të ardhurat, por edhe do t'i tejkalojmë, theksoi sot kryetari i Qeverisë, Hristian Mickoski.
Kryeministri Mickoski, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve përse lideri i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe thotë se viti i ardhshëm do të jetë vit krize me kthim të borxheve dhe eurointegrime të bllokuara, vlerësoi se porositë e tilla kanë për qëllim të fusin frikë dhe shqetësim tek qytetarët.
"Çfarë është struktura: 700 milionë euro është eurobondi, të cilin qeveria e LSDM-së dhe BDI-së e ka marrë në vitin 2022, për katër vite me normë itneresi 7,5 për qind efektive dhe atë duhet ta kthejmë. Sipas analizave fillestare, të cilat i kemi, do të jetë shumë më e volitshme se ajo që e kanë marrë, tani mendojmë vetëm në kuponin çfarë duhet të jetë. Deficiti buxhetor, kuptohet, është standard, ai duhet të kthehet, dallimi mes shpenzimeve dhe të ardhurave. Planifikojmë atë deficit buxhetor ta kthejmë me letra me vlerë në tregun vendor, dhe arrijnë kreditë e tjera, të cilat qeveria e LSDM-së dhe BDI-së i kanë marrë gjithashtu në të kaluarën. Me fjalë të tjera mbi dy miliardë euro duhet të kthehen", theksoi Mickoski pas promovimit të 120 automjeteve të reja për MPB-në.
Ai shtoi se për Qeverinë aktuale sfidat nuk do të ndalen vitin e ardhshëm, por vazhdojnë në vitet 2027 dhe 2028.
"Sepse edhe në vitin 2027 sërish duhet të kthejmë eurobond të marrë nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së prej 500 milionë eurove, dhe këtu nuk ndalemi, edhe në vitin 2028 duhet sërish të kthejmë eurobond të marrë nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së prej 700 milionë eurove të tjera. Ajo është përafërsisht periudha, të cilën e kemi ne si Qeveri. Këtë vit tashmë kthyem një eurobond prej 500 milionë eurove. Do të thotë, katër vite Qeveri, çdo vit kthejmë nga një eurobond, të cilët i ka marrë qeveria e LSDM-së dhe BDI-së. Përafërsisht rreth gjashtë muliardë euro është i tërë borxhi, të cilin duhet ta kthejë kjo Qeveri në këtë mandat prej katër vitesh", saktësoi Mickoski.
Megjithatë, kryetari i Qeverisë porositi qytetarët dhe biznesin të jenë të qetë dhe siç tha, "njejtë siç nuk ka emigrantë, njejtë siç nuk ka krizë, ashtu edhe mjetet janë siguruar, likuiditeti është siguruar".
Ai potencoi se me rëndësi është që parametrat ekonomikë janë stabil, në trend rritjeje dhe parashikimet janë optimiste për vitin e ardhshëm, kur bëhet fjalë për ekonominë e vendit, inflacioni po ulet, eksporti po rritet.
Theksoi se dje ishte dita kur personat juridikë duhej ta kthenin TVSH-në, dhe siç thotë Mickoski, të gjitha numrat në dhjetor janë dyshifrorë, mbi parashikimet.
"Presim jo vetëm t'i arrijmë të ardhurat, por edhe do t'i tejkalojmë. Kështu që, çdo e pavërtetë e tyre po bie në ujë me numra dhe atë me fakte. Por, opinioni do të duhet të mësohet, kjo është mënyra, në të cilët do të tentojnë të tërheqin vëmendje. Ne do të punojmë, ndërsa ata le të përhapin panik dhe frikë", tha Mickoski. ab/
Fotо: Qeveria