• четврток, 25 декември 2025

Mickoski: Një kompani turke dhe një gjermane konfirmuan hyrjen në Maqedoni, do të investojnë 80 milionë euro dhe do të hapin 1.000 vende pune

Mickoski: Një kompani turke dhe një gjermane konfirmuan hyrjen në Maqedoni, do të investojnë 80 milionë euro dhe do të hapin 1.000 vende pune

Shkup, 19 dhjetor 2025 (MIA) - Një kompani turke dhe një gjermane konfirmuan se do të investojnë në Maqedoni, kumtoi sot kryeministri Hristijan Mickoski. 

Bëhet fjalë për kompanitë që punojnë në fushën e teknologjisë së lartë, të cilat do të investojnë gjithsej rreth 80 milionë euro dhe do të hapin rreth 1.000 vende pune.

Siç tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vizitës në "Alkaloid", deri në fund të vitit priten të paktën edhe tre konfirmime për investime në vend.

"Negociojmë me shumë kompani të huaja që do të investojnë në Maqedoni. Mund të konfirmoj se tashmë kemi konfirmim nga dy prej tyre, një turke dhe një gjermane, të cilat do të investojnë gjithsej rreth 80 milionë euro, ndërsa eksportet që të dyja do të bëjnë së bashku do të jenë mbi 200 milionë euro. Gjithsej të dy kompanitë duhet të punësojnë rreth 1.000 persona. Të dyja nuk janë në industrinë e automobilave, por në një industri të teknologjisë së lartë që na bën veçanërisht krenarë", deklaroi kryeministri.

Sipas tij, edhe vitin e ardhshëm do të vazhdojnë bisedimet për investimet nga kompanitë e huaja në vend.

"Deri në fund të vitit, pres të paktën tre konfirmime të tjera, me të cilat do ta përfundojmë këtë cikël, ndërsa vitin tjetër do të vazhdojmë të punojmë për këtë plan. T'i mbështesim kompanitë vendase është prioriteti ynë, por sigurisht që janë të mirëpritura edhe kompanitë të cilat vijnë nga jashtë dhe shprehin interes për të investuar këtu. Fokusi ynë është ta diversifikojmë pak atë portofol, në mënyrë që të mos jetë vetëm industria e automobilave, por edhe ky lloj investimi në teknologji të lartë", tha Mickoski.  rq/

Foto: MIA

Остани поврзан