• сабота, 16 мај 2026

Mickoski nga Vjena: Dialog i hapur dhe konstruktiv për avancimin e bashkëpunimit, veçanërisht në ekonomi

Mickoski nga Vjena: Dialog i hapur dhe konstruktiv për avancimin e bashkëpunimit, veçanërisht në ekonomi

Shkup, 22 prill 2026 (MIA) - Në Vjenë është zhvilluar një takim i rëndësishëm midis delegacionit të Maqedonisë së Veriut dhe delegacionit të Austrisë, në një atmosferë të hapur dhe konstruktive. Bisedat u përqendruan në promovimin e bashkëpunimit në disa fusha me interes të ndërsjellë, me theks të veçantë në ekonomi, investimet dhe projektet e përbashkëta në të ardhmen, informoi pasditen e sotme kryeministri Hristijan Mickoski.

"Konfirmuam gatishmërinë tonë për thellimin e partneritetit dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Takimi ishte një mundësi për të shkëmbyer pikëpamje, ide dhe vizione për zhvillim të mëtejshëm me një qëllim të qartë në arritjen e rezultateve konkrete dhe bashkëpunimit afatgjatë", shkroi Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk.

Në kuadër të vizitës në Austri, kryeministri realizoi takim kokë më kokë me kancelarin austriak Kristian Shtoker. Mesazhi kryesor nga takimi, siç theksoi ai në konferencën e përbashkët për shtyp ishte se Evropa është në një moment vendimtar kur duhet të zgjedhë nëse do të reagojë ndaj krizave apo do të formësojë në mënyrë aktive rregullat.

"Ne nuk kërkojmë vetëm investitorë të huaj, kërkojmë partneritet, besim, vizion të përbashkët se ku duam të jemi pas dhjetë vitesh. Përcaktimi ynë është i qartë - të ndërtojmë ekonomi që krijon, e jo vetëm që shpenzon, të ndërtojmë një shtet që ofron siguri, e jo pasiguri, të ndërtojmë një sistem ku puna shpërblehet dhe besimi ka vlerë. Ky është një drejtim i qartë. Investimet i shohim si motor të ndryshimeve, ndryshime që sjellin industri të re, dituri të reja, cilësi të re, standard të ri", theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ndodhet për vizitë në Austri me një delegacion qeveritar që përfshin zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministren e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska dhe ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha.

Foto: Fesjbuku i kryeministrit Hristijan Mickoski

Остани поврзан