Mickoski: Nevojitet zgjidhje sistematike për ndotjen e ajrit, po zhvillojmë projekt me të cilin do të zgjidhet problemi i ngrohjes së shtëpive
- Qeveria do të veprojë konform kompetencave të saja për konkluzat që dje i miratoi Këshilli i Qytetit të Shkupit për dislokimin e fabrikës së çimentores USJE dhe për kontrollet e jashtëzakonshme inspektuese mbi ndotësit e mëdhenj, bëri të ditur sot kryeministri Hristijan Mickoski.
Shkup, 26 dhjetor 2025 (MIA) - Qeveria do të veprojë konform kompetencave të saja për konkluzat që dje i miratoi Këshilli i Qytetit të Shkupit për dislokimin e fabrikës së çimentores USJE dhe për kontrollet e jashtëzakonshme inspektuese mbi ndotësit e mëdhenj, bëri të ditur sot kryeministri Hristijan Mickoski.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas promovimit të 120 automjeteve të reja policore për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai theksoi se vazhdimisht kryhen kontrollet e jashtëzakonshme inspektuese.
"Sa i përket dislokimit, kjo nuk është problem për Qeverinë. Pra, çdo gjë që është problem për qytetarët është problem edhe për Qeverinë. Por dua të hyj në thelb dhe esenca është se ndotja është rezultat i neglizhencës ndaj qytetarëve për t'u siguruar atyre burime alternative të energjisë me të cilat të ngrohin shtëpitë e tyre gjatë sezonit të ngrohjes", tha Mickoski.
Sipas tij, një alternativë me ngrohje qendrore dhe gaz është e nevojshme për qytetarët si në portat lindore ashtu edhe ato perëndimore të qytetit.
"Kjo është një neglizhencë prej dekadash. Ky është thelbi i gjithë këtij procesi. Dhe ne si Qeveri, po punojmë, po zhvillojmë një projekt, pres që të kemi detajet deri në fillim të vitit të ardhshëm. Tashmë po flasim me investitorin me të cilin nënshkruam një memorandum mirëkuptimi për të zhvilluar projektin për një termocentral me gaz të kogjeneruar me të cilin jemi të sigurt se problemi i ngrohjes së shtëpive në portën lindore të qytetit do të zgjidhet seriozisht dhe do të bëjmë të njëjtën gjë edhe në portën perëndimore", informoi Mickoski.
Kjo, theksoi ai, kërkon kohë.
"Presioni është i madh, por është e rëndësishme që të kemi një qëllim dhe të ecim drejt realizimit të këtij qëllimi. I kuptoj qytetarët. Ata gjithmonë kanë të drejtë. Zaten të gjithë jetojmë këtu, thithim të njëjtin ajër, njësoj si në qytetet e tjera në Maqedoni, ku nuk ka kapacitete të tilla prodhimi, por ka një sasi jashtëzakonisht të lartë të grimcave PM 2.5 dhe 10", tha Mickoski.
Sipas tij, nevojitet një zgjidhje dhe qasje sistemike duke nënvizuar se ata kështu funksionojnë.
Foto: printskrin