• петок, 20 февруари 2026

Mickoski: mund të ndihmojmë që punëdhënësit dhe punëtorët të gjejnë kompromis, por nuk mund të imponojmë

Mickoski: mund të ndihmojmë që punëdhënësit dhe punëtorët të gjejnë kompromis, por nuk mund të imponojmë

Shkup, 18 shkurt 2026 (MIA) - Mund të ndihmojmë që punëdhënësit dhe punëtorët të gjejnë kompromis, por nuk mund të imponojmë, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski për kërkesën e sindikatave për rritjen e pagës minimale në 600 euro.

Mickoski në përgjigje të pyetjes së gazetarëve tha se Qeveria e inkurajon dialogun dypalësh duke përsëritur se paga minimale do të rritet në pajtim me ligjin.

"Qeveria nuk është ajo që pranon kërkesa sepse Qeveria si punëdhënës me kolegët e tyre i rregullon punët për 98-99 për qind nga numri i përgjithshëm i të punësuarve nga institucionet qeveritare. Kemi marrëveshje deri në vitin 2028. Atë proces e kemi rrumbullaksuar. Ne nuk mund të sugjerojmë në kompanitë private si do të rregullohen marrëdhëniet e tyre me punëdhënësit. Prandaj themi ne mund të ndihmojmë në atë proces, për ta lehtësuar, mendoj se tani në fillim të marsit do të kemi takime me Këshillin Socio-Ekonomik dhe ne mund të ndihmojmë që punëdhënësit dhe punëtorët të gjejnë kompromis, por nuk mund të imponojmë  sepse imponimi nga e kaluara e patë se ku na solli dhe me ç'farë sfidash duhet të përballemi si Qeveri tani për shkak të disa politikave të pafat të ndonjë qeverie paraprake", tha Mickoski.

Sipas tij, Qeveria gjithmonë është këtu në dispozicion edhe të punëtorëve dhe punëdhënësve dhe do të ndihmojë në këtë proces për të arritur zgjidhje.

Qeveria, theksoi, ishte e gatshme dhe arriti marrëveshje me punëtorët, të cilët marrin të ardhura nën ingerencë të Qeverisë dhe nënshkruam marrëveshje deri në fund të mandatit të vitit 2028.

"Ne sillemi në mënyrë parimore, i kemi rregulluar marrëdhëniet tona dhe mendoj se është një mesazh i mirë të qëndrojmë pranë qëndrimeve tona parimore. Ne kujdesemi si Qeveri, kemi arritur një marrëveshje deri në vitin 2028 dhe inkurajojmë dialogun dypalësh, dhe ne si Qeveri do ta rrisim pagën minimale në përputhje me ligjin", tha Mickoski pas pjesëmarrjes në konferencën vjetore "Formalizimi i Ekonomisë Informale: Përmes bashkëpunimit drejt suksesit". sa/

Foto: MIA 

Остани поврзан