MIA në zgjedhjet në Bullgari: Sofja midis bilbordeve dhe kafesë - qyteti që merr frymë thellë, por flet qetë
- Mëngjesi në Sofje fillon me zhurmën e tramvajeve. Njerëzit nxitojnë për në punë, ndërsa nga bilbordet para tyre, politikanë të buzëqeshur premtojnë stabilitet, ndryshim dhe të ardhme më të mirë. Zgjedhjet janë shumë afër, por në shikim të parë jeta e përditshme zhvillohet pa ndonjë ritëm të ndryshuar.
Sofje, 17 prill 2026 (MIA)
Pandorka ARSOVSKA GACOVA
Me një ritëm normal të jetës, qytetarët e Sofjes po i kalojnë ditët e fundit para zgjedhjeve, ndërsa fushata politike mbetet kryesisht në sfond të aktiviteteve të përditshme.

Mëngjesi në Sofje fillon me zhurmën e tramvajeve. Njerëzit nxitojnë për në punë, ndërsa nga bilbordet para tyre, politikanë të buzëqeshur premtojnë stabilitet, ndryshim dhe të ardhme më të mirë. Zgjedhjet janë shumë afër, por në shikim të parë jeta e përditshme zhvillohet pa ndonjë ritëm të ndryshuar.

Në pjesët qendrore të qytetit, kafenetë dhe restorantet janë përplot, ndërsa rrugët ruajnë dinamikën e tyre të zakonshme. Por në kafene, bisedat rrallë fillojnë me politikë - të paktën jo zëshëm. Politika është e pranishme më shumë vizualisht se sa në biseda.

Mesazhet zgjedhore janë të pranishme përmes bilbordeve dhe në mënyrë elektronike, të cilat ndryshojnë periodikisht. Por ato nuk dominojnë hapësirën publike. Përveç bilbordeve, qyteti është i pastër nga materialet tjera promovuese.

Disa qytetarë thonë se do të votojnë, por më shumë si detyrim sesa si shpresë për diçka tjetër.
“Do të votoj, sigurisht”, thotë një grua e re e punësuar nga një agjenci marketingu. “Por, sinqerisht, mendoj më shumë për punën se sa për zgjedhjet”, shton ajo.
Në dyqanet dhe tregjet e vogla, bisedat kalojnë shpejt nga politika te çmimet. Inflacioni dhe kostoja e jetesës janë tema që i lënë në hije mesazhet zgjedhore. “Çfarë më duhen zgjedhjet, nëse çmimet rriten?” thotë një shitëse në një dyqan suveniresh që ndodhet në rrugën kryesore "Vitosha".

Për shumë njerëz, ekonomia mbetet më e rëndësishme se sa premtimet politike.
“Të gjithë premtojnë, por asgjë nuk ndryshon”, thotë shoferi i taksisë që na dërgoi deri në hotel. Megjithatë, ai shton se do të votojë, “sepse duhet të përpiqemi të ndryshojmë diçka për mirë”.
Kjo distancë e qetë nga politika ndjehet edhe te brezi i ri. Në lagjet dhe baret studentore, bisedat rrallë përqendrohen te zgjedhjet. Disa të rinj thonë se janë të lodhur nga ciklet e vazhdueshme politike, ndërsa të tjerë pranojnë se nuk presin ndryshime të rëndësishme. Për ta, zgjedhjet janë të rëndësishme, por jo të mjaftueshme për të ndryshuar ritmin e përditshëm.
“Do të votoj, por pa entuziazëm”, thotë një studente. Për të, si shumë të tjera, zgjedhjet janë një detyrë dhe detyrim, por jo një shpresë.

Disa nga të rinjtë thonë se nuk i kanë ndjekur nga afër fushatat, ndërsa më të moshuarit pranojnë se pritjet e tyre janë ulur. Zgjedhjet shihen si një proces i domosdoshëm, por jo si një pikë kthese.
Megjithatë, atmosfera zgjedhore nuk mund të injorohet plotësisht. Qyteti bart një tension të hollë - ndjesi se diçka po përgatitet, megjithëse nuk shprehet zëshëm. Në ditët para votimit, bisedat bëhen më të kujdesshme, në vend të debateve të nxehta, dominon pasiguria e qetë.

Ajo që bie më shumë në sy është normaliteti. Kafenetë janë përplot, rrugët janë të gjalla, jeta e natës është aktive. Sofja nuk ndalet për zgjedhjet - ajo i absorbon, i integron në jetën e saj të përditshme. Politika është aty, në sfond, por nuk zë vendin kryesor.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron historia më e fortë. Në një qytet ku zgjedhjet janë të shpeshta, qytetarët kanë mësuar të jetojnë me to - pa pritshmëri të mëdha, por edhe pa apati të plotë. Midis bilbordeve dhe detyrimeve të përditshme, jeta vazhdon me ritmin e vet.
Ndërsa, fushatat premtojnë të ardhmen, e tashmja e Sofjes zhvillohet në momente të vogla, të zakonshme - biseda në kafene, udhëtime të shkurtra me taksi, blerje në cep të rrugës. Dhe aty, në ato skena të përditshme, shihet qartë pamja e vërtetë e zgjedhjeve: si diçka e rëndësishme, por jo aq fuqishëm sa të ndërpresë ritmin e qytetit.

Dy ditë para zgjedhjeve, Sofja duket si një qytet që merr frymë thellë, por flet më qetë. Fushata zyrtarisht zbehet, bilbordet mbeten, ndërsa mesazhet politike sikur qëndrojnë në ajër.
Në Sofje, heshtja para votimit nuk do të thotë mungesë e politikës, përkundrazi - është një shenjë lodhjeje. Pas një sërë ciklesh zgjedhore vitet e fundit, qytetarët janë mësuar me pasigurinë që vjen me çdo votë të re. "Nuk ka asgjë më shumë për të thënë, tani duhet të shohim se çfarë do të dalë", thotë një burrë i moshuar në park.
Qendrat e votimit po përgatiten, ndërsa institucionet janë në një gjendje mobilizimi të qetë. Megjithatë, nuk ka tension dramatik - më shumë ndjenjë rutine.
Sofja nuk duket si një qytet në prag të një vendimi të madh, por si një vend që ka kaluar tashmë nëpër shumë momente të ngjashme.
E diela do të sjellë rezultate, por sot qyteti qëndron midis pritjes dhe lodhjes, pa një drejtim të qartë. Sofja pret, por jo me entuziazëm, por me distancë të durueshme.
Foto: MIA