MIA në Qipro: Nikozia e mbushur me turistë, mes tyre edhe nga Maqedonia e Veriut
- -Pas sulmit ndaj bazave ushtarake britanike javën e kaluar, niveli i sigurisë në Qipro është ngritur në shkallë të lartë; nga aspekti operativ, Qeveria qipriote po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme, para së gjithash në nivel parandalues dhe në drejtim të informimit të popullsisë, por e gjithë situata duket se nuk i frikëson turistët.
Nikozia, 9 mars 2026 (MIA)
Sanja RISTOVSKA – Qipro
-Pas sulmit ndaj bazave ushtarake britanike javën e kaluar, niveli i sigurisë në Qipro është ngritur në shkallë të lartë; nga aspekti operativ, Qeveria qipriote po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme, para së gjithash në nivel parandalues dhe në drejtim të informimit të popullsisë, por e gjithë situata duket se nuk i frikëson turistët.
Një shëtitje nëpër kryeqytetin Nikozia dhe nëpër pikat turistike është një tjetër dëshmi se Qiproja mbetet destinacion turistik, pavarësisht se disa nga kompanitë ajrore i anuluan përkohësisht fluturimet drejt ishullit, ndërsa anulimet e rezervimeve në hotele, të paktën për momentin, janë minimale.

Korrespondentja e MIA-s vizitoi të vetmin kryeqytet të ndarë në Evropë, i cili këto ditë është i mbushur me turistë nga vende të ndryshme, mes tyre edhe nga vendi ynë.
Takuam britanikë, spanjollë, italianë, por edhe dy zonja nga Koçani. Të gjithë thonë se situata aktuale nuk i ka bërë të ndryshojnë mendje dhe nuk e kanë anuluar udhëtimin e planifikuar paraprakisht në ishull, ndonëse theksojnë se disa nga miqtë e tyre kanë vendosur t’i anulojnë aranzhmanet.

Nikozia ndodhet diçka më shumë se 100 kilometra larg bazave ushtarake britanike në Akrotiri, aty ku javën e kaluar pat sulm me dron, por njëlloj si në qytetin e Limasolit, që ndodhet në afërsi të drejtpërdrejtë, edhe në kryeqytet jeta zhvillohet normalisht dhe në siguri, pa frikë, ndërsa shqetësimi i vogël që ndoshta ekzistonte në fillim, tani, me kalimin e ditëve, duket se po zhduket plotësisht.
Gjithçka në qytet funksionon normalisht, nisur nga shërbimet administrative shtetërore, transporti publik dhe ai me taksi, e deri te hotelet, restorantet dhe kafenetë, përderisa gjatë shëtitjes aspak nuk ndihet as tension, as çfarëdo rreziku.
Këtë ndjenjë e konfirmojnë edhe banorët e qytetit, por edhe turistët.

Turistet nga Koçani, siç treguan për MIA-n, fillimisht kishin planifikuar të udhëtonin në Qipro bashkë me disa shoqe, mirëpo për shkak të situatës, disa prej tyre e kishin anuluar udhëtimin.
-Ishim disi me rezervë për ardhjen, por megjithatë vendosëm të vinim. Rrezik ka si këtu, ashtu edhe në Maqedoni. Duhej të vinim më shumë, por erdhëm vetëm dy, ndërsa të tjerat mbetën në Maqedoni. Përveç kësaj, kishte edhe të tjerë përmes agjencive që i anuluan aranzhmanet për shkak të situatës, thonë ato në bisedë me korrespondenten e MIA-s.
Ato shtojnë se kanë marrë vendimin e duhur, nuk ndiejnë asnjëfarë rreziku dhe po shijojnë bukuritë e ishullit.
Një vajzë nga Barcelona, po ashtu turiste, udhëton e vetme dhe thekson se as që ka menduar për anulim; shpjegon se nuk është fare e shqetësuar për sigurinë e saj nga aspekti gjeopolitik, ndërsa pyet vetëm për mënyrën se si kalohet nga pjesa greke në atë turke, nëse është e sigurt për një vajzë që është vetëm dhe nëse paguhet diçka gjatë hyrjes.

Banorët e Nikozisë edhe më të relaksuar krahasuar me ata të Limasolit
Gjatë udhëtimit në Qipro, MIA vizitoi Limasolin – qytetin në afërsi të drejtpërdrejtë të bazave ushtarake britanike dhe të dytin për nga madhësia në vend, si dhe Nikozinë – kryeqytetin, ndërsa banorët e të dy vendeve, në asnjë rast, nuk shprehën ndonjë frikë të madhe apo shqetësim serioz për situatën.
Situata këtu aspak nuk është siç paraqitet jashtë vendit, komenton një banor i Nikozisë.

Kryeqyteti, duke qenë se ndodhet më larg nga bazat ushtarake që ishin cak i sulmit, vazhdon ritmin e vet të përditshëm.
Gjithçka zhvillohet normalisht, sikur të mos ndodhte asgjë. Nuk e di nëse kjo është mirë apo jo, në kuptimin që vërtet ka luftë në afërsinë tonë të menjëhershme, ndërsa nën kërcënim janë edhe bazat britanike në vendin tonë. Shpresoj që të mos ketë pasoja nga fakti që të gjithë situatën nuk po e marrim aq seriozisht, komenton një qipriote e re për MIA-n.

Në pjesën turke të Nikozisë, atë që qipriotët grekë e quajnë “e okupuar”, arrihet më këmbë përmes pikës kufitare në fund të rrugës qendrore Ledra dhe pasi kalohen dy kontrollet e pasaportave – ajo qipriote dhe ajo e Republikës Turke të Qipros Veriore të papranuar ndërkombëtarisht, të ndara me zonën e tokës së askujt.
Në anën tjetër, shumica e turistëve janë nga Turqia. Këta e vizitojnë ekskluzivisht atë pjesë të qytetit dhe mbërrijnë ose me fluturim të drejtpërdrejtë nga Turqia ose me traget, por megjithatë nuk është i vogël numri i vizitorëve që e kanë kaluar kufirin në këmbë dhe kanë ardhur për vizitë disa orëshe në pjesën turke.

Edhe me maqedonaset u takuam pikërisht në atë pjesë, pak para se të ktheheshin në territorin e Republikës së Qipros.
Banorët e kësaj pjese të qytetit, turqit qipriotë, nuk dëshirojnë shumë ta komentojnë situatën; thonë se ndoshta te ta ekziston një dozë frike, por nuk e dinë çfarë do të ndodhte nëse gjendja do të përkeqësohej.

Anulime minimale në hotele, por ekziston optimizëm për sezonin vijues
Menjëherë pas sulmit ndaj bazave ushtarake në Akrotiri, disa kompani ajrore i anuluan përkohësisht fluturimet nga dhe drejt aeroportit të Larnakës, diçka që tashmë është normalizuar, ndërsa zëvendësministri i Turizmit i Qipros, Kostas Kumis, për agjencinë qipriote të lajmeve CNA theksoi se “rikthimi i fluturimeve tre-katër ditë më vonë përfaqëson shprehje besimi ndaj Republikës së Qipros, por edhe ndaj destinacionit turistik Qipro”.

Në hotelet e ishullit ka anulime rezervimesh, të cilat sipas hotelierëve me të cilët bisedoi MIA janë disi më pak se dhjetë për qind, por ata thonë se për aq kohë sa zgjatë situata aktuale, mbeten në pasiguri, duke pasur parasysh se tani po fillon sezoni.
Po të kishte ndodhur e gjithë kjo, për shembull në maj, do të ishte ndryshe, sepse tashmë do të kishim ndonjë fitim nga marsi dhe prilli; kështu tani, në fillim të sezonit, ekziston pasiguri e plotë, thotë një i punësuar në një hotel në Limasol.

Në një hotel në Nikozia, brenda vetëm pak ditësh, janë anuluar rezervime për rreth 30 dhoma.
Disa i anulojnë menjëherë, por nuk është i vogël as numri i atyre që na telefonojnë dhe na pyesin çfarë po ndodh, si është situata dhe nëse është e sigurt të vijnë, thekson një i punësuar në hotel.

Për anulimet e rezervimeve për Qipro, zëvendësministri i Turizmit për CNA shpjegoi se ato vërtet ekzistojnë, por se bëhet fjalë kryesisht për anulime që lidhen me këtë periudhë.
Njerëzit anembanë botës janë të shqetësuar dhe kjo tashmë është fakt. Në të njëjtën kohë, për fat të keq, është duke u vënë re edhe ngadalësim i rezervimeve. Megjithatë, nga ana tjetër, duhet të përmend se asnjë kompani ajrore dhe asnjë operator turistik nuk po mendon t’i reduktojë programet e veta drejt vendit tonë për verën e ardhshme dhe për muajt në vijim, duke treguar kështu besim si ndaj Republikës së Qipros, ashtu edhe ndaj vendit tonë si destinacion turistik, theksoi ministri në detyrë.

Sipas të dhënave zyrtare të shërbimit statistikor qipriot, vitin e kaluar Republikën e Qipros e kanë vizituar 4.534.073 turistë, përkatësisht gjysmë milioni më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Foto: MIA