MIA Flesh
- Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot në vilën "Biljana" në Ohër në takim lamtumirës e priti ambasadoren e Republikës Helene në Shkup, Sofija Filipidu. Duke riafirmuar qëndrimin se bashkëpunimi rajonal është veçanërisht i rëndësishëm për vendet më të vogla, Siljanovska Davkova theksoi se pret që Greqia të jetë ndër mbështetësit më të fortë në rrugën e integrimit të Maqedonisë në BE.
15:00/ 18 korrik/ 2026
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot në vilën "Biljana" në Ohër në takim lamtumirës e priti ambasadoren e Republikës Helene në Shkup, Sofija Filipidu. Duke riafirmuar qëndrimin se bashkëpunimi rajonal është veçanërisht i rëndësishëm për vendet më të vogla, Siljanovska Davkova theksoi se pret që Greqia të jetë ndër mbështetësit më të fortë në rrugën e integrimit të Maqedonisë në BE.
Shkup - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot do të vizitojë Komunën e Debërcës, ku do të inspektojë aktivitetet ndërtimore për rikonstruktimin e rrugës lokale nga fshati Mesheishtë deri në fshatin Vollino. Në kuadër të vizitës në komunë, siç njoftoi shërbimi për shtyp i Kuvendit, Mickoski do të kryejë edhe mbikëqyrje në rikonstruksionin e një rruge në fshatin Vollinë – Pjesa 1: Manastiri "Shën Petka".
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski sot përmes Fejsbukut ka informuar për takimin e realizuar me zëvendës sekretarin shtetëror të SHBA-së, Kristofer Landau, në kuadër të vizitës së punës në Uashington. "Dy vendet tona kanë pozita të afërta dhe të harmonizuara për spektër të gjerë politik, ekonomik dhe të sigurisë. Në një bisedë të hapur, miqësore dhe të përmbajtur e konfirmuam përcaktimin e përbashkët për përforcim të mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit dypalësh, në interes të qytetarëve të të dy vendeve", njoftoi Mucunski.
Gostivar - Nuk do të shpallet epidemi në Gostivar derisa të përcaktohet shkaku i numrit të madh të të sëmurëve dhe ankesave në stomak. Nevojiten më shumë anketa epidemiologjike për të gjetur shkakun, tha ministri Sasho Klekovski pas një vizite në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit. Ai informoi se numri i pacientëve që paraqiten me simptoma të ngjashme është i njëjtë me ditët e fundit. "Pacientët e parë erdhën natën e 13 korrikut dhe që atëherë ky numër ka qenë mjaft konstant. Mbi 200 qytetarë vijnë në spital çdo ditë për ndërhyrje. Në 24 orët e fundit, ka pasur 100 ndërhyrje të kërkuara në pediatri dhe 160 ndërhyrje të kërkuara në departamentin e sëmundjeve infektive", tha Klekovski.
Shkup - Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski do ta vizitojë Spitalin e përgjithshëm - Gostivar në orën 11:30, pasi disa qytetarë me simptoma të të vjellave, diarresë dhe temperaturës kërkuan ndihmë mjekësore. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ministri Klekovski është planifikuar të japë një deklaratë. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) dje lëshoi një ndalim për përdorimin e ujit të pijshëm nga sistemi i furnizimit me ujë të Gostivarit për shkak të dyshimit të bazuar se uji është i kontaminuar dhe i pasigurt për konsum.
Shkup - Nuri Bajrami, ish nënkryetar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, gazetar dhe kryeredaktor i TV2 me përvojë të gjatë, dhe jurist me profesion, ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare. Informacionin e bëri të ditur djali i tij Arianit Bajrami nëpërmjet profilit të tij në Fejsbuk.
Shkup - Orkestra kombëtare e xhezit do të performojë sot në Festivalin AirBeat #LULUfest në Korçë, Shqipëri, ku do të jetë pjesë e programit kryesor të festivalit që do të mbahet në Çarshinë e Vjetër. Festivali AirBeat bashkon artistë nga vende dhe kultura të ndryshme, duke krijuar një hapësirë për shkëmbim muzikor, bashkëpunime të reja dhe projekte të përbashkëta krijuese.
Ankara - Tërmet me fuqi prej 5 ballë sipas shkallës Rihter e goditi herët në mëngjes provincën lindore turke Malatia, njoftoi Agjencia për Menaxhim me Katastrofat dhe Gjendjet e Jashtëzkaonshme (AFAD). Tërmeti ndodhi në orën 06:20 të mëngjesit sipas kohës lokale, me epiqendër në qarkun Batalgazi, në thellësi pej 15,59 kilometra, citohet në kumtesën e AFAD-it.
Oslo - Më shumë se 100 shtëpi janë shkatërruar në një zjarr që shpërtheu dje pranë qytetit Dramen në jug të Norvegjisë, por deri më tani nuk ka raportime për viktima ose persona të zhdukur, thanë shërbimet e shpëtimit. "Mund të flasim për një katastrofë kur na godet një zjarr kaq i madh", tha mbrëmë kryebashkiaku i Dramenit, Cell Arne Hermansen.
Farnboro - Iraku nënshkroi 48 marrëveshje, memorandume mirëkuptimi, deklarata partneriteti dhe dokumente të tjera me kompani amerikane, kryesisht në sektorin e energjisë, gjatë vizitës së kryeministrit Ali al-Zaidi në SHBA, njoftoi sot zyra e tij. Ndër marrëveshjet e nënshkruara janë partneritetet midis ministrive irakiane të energjisë elektrike dhe naftës dhe kompanive "EksonMobil", "KBR", "GE Vernova", "Shell" dhe "Hallibarton".
Teheran - Furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë për të paktën 10,000 njerëz përgjatë bregdetit iranian pas sulmeve amerikane në jug të vendit, raportoi DPA, duke cituar burime zyrtare. Arsyeja është granatimi i një impianti të shkripëzimit të ujit të detit në rajonin bregdetar të Jaskut, njoftoi shërbimi për shtyp i qeverisë, duke cituar Kompaninë e Furnizimit me Ujë të Provincës Hormozgan.
Teheran - Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit tha se kishte sulmuar një bazë amerikane të dronëve në Bahrein, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve. Garda tha gjithashtu se kishte shkatërruar "qendrën kryesore të inteligjencës artificiale në Bahrein" me raketa balistike dhe dronë.
Karakas - Në dy tërmetet që e goditën Venezuelën më 24 qershor humbën jetën 5.069 njerëz, deklaroi kryetari i Kuvendit, Horhe Rodrigez. Numri i të lënduarve edhe më tutje është 16.740, ndërsa 17.907 persona mbetën pa kulm mbi kokë si pasojë e tërmetit.
Nju Jork - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, dënoi sulmet ndaj infrastrukturës civile në Lindjen e Mesme, duke i quajtur ato "të papranueshme". Irani ka akuzuar SHBA-në për sulm ndaj rrjeteve iraniane të transportit dhe telekomunikacionit dhe ka njoftuar se po merr masa "hakmarrëse".
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp tha mbrëmë se SHBA-ja e mban Kanadanë përgjegjëse për zjarret që ndotin qytetet amerikane dhe njoftoi se me këtë rast do ta telefonojë kryeministrin kanadez Mark Karni. Ai shtoi gjithashtu se "kostot e asaj ndotjeje duhet të përfshihen pa vonesë në tarifat" që Kanadaja aktualisht paguan në tregtinë me SHBA-në.
Uashington - Komanda qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (CENTKOM) mbrëmë njoftoi se armata amerikane ka filluar seri të re sulmesh ndaj Iranit, natën e shtatë me rend. "Këto sulme kanë për qëllim plotësisht t'i dobësojnë kapacitetet ushtarake të Iranit, me urdhër të Komandantit suprem", citohet në postimin e CENTKOM, në platformën Iks.
Majami - Ekipet kombëtare të Francës dhe Anglisë do të luajnë një ndeshje për vendin e tretë në Kupën e Botës 2026. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin "Hard Rok" në Majami, duke filluar në orën 23:00 sipas kohës së Maqedonisë. Franca dhe Anglia janë takuar 32 herë në historinë e tyre, me Anglinë që ka fituar 17 ndeshje, Francën që ka fituar 10 dhe pesë ndeshje që kanë përfunduar në barazim. Diferenca e golave është 72:41 në favor të Anglisë. Ekipet janë takuar tre herë në Kupën e Botës: Anglia fitoi në vitin 1966 (2:0) dhe 1982 (3:1), ndërsa Franca fitoi në vitin 2022 (2:1).
Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Pasdite do të ketë kushte për paraqitje të izoluar të shiut të rrëmbyeshëm dhe bubullimave. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtim i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 13 deri në 22 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 33 deri në 39 gradë, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Në Shkup moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi veriperëndimor. Pasdite në disa pjesë të luginës do të ketë kushte për shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Temperatura minimale do të bie në 20 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 38 gradë.