12:00/ 6 mars/ 2026
Shkup - Temperatura më e ulët prej -4 gradë Celsius mëngjesin e sotëm është matur në Lazaropole, -3 në Kodrën e Diellit dhe Berovë, -2 në Hanet e Mavrovës dhe Manastir, -1 në Shkup-Petrovec, Strumicë, Kriva Pallankë, Prilep, Shtip, Tetovë dhe Pretor, 0 gradë në Ohër, Demir Kapivë, Veles, 1 në Kavës. në Shkup-Zajçev Rid dhe Vinicë, ndërsa më të lartat 4 gradë Celsius është matur në Gjevgjeli. Siç informon Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), në 24 orët e fundit më së shumti shi 5 litra për metër katror ka rënë në Shkup-Petrovec, 4 në Veles, 3 në Tetovë, Prilep, Topolçan, Kodrën e Diellit dhe Gjurishtë, 2 në Shkup-Zajçev Rid, Kriva Pallankë, Manastrir, Kavadar, Demir Kapi, Berovë, Krushevë dhe hanet e Mavrovës, dhe nga 1 litër në Ohër, Pretor, Vinicë, Lazaropolë dhe Pozharënë. Mbulesa më e lartë e borës prej 71 centimetra është në Kodrën e Diellit.
Shkup - Nëpunës policorë nga SPB Shkup mbrëmë në orën 00:40, në zonën e Kisella Vodës, provuan nga liria B.S. (55) nga Shkupi nën dyshimin se ka shtënë me pistoletë në drejtim të gruas së tij 48-vjeçare, i ka kërcënuar tre vajzat e tyre të moshës 26, 24 dhe 18-vjeçare dhe e ka sulmuar fizikisht vajzën 24-vjeçare. Siç informoi MPB-ja, sipas denoncimit, më 01.03.2026, pas një grindjeje të mëparshme në shtëpi, ai ka shkrepur një plumb nga pistoleta që ka përfunduar në dritare, pas çka ka shkuar te vajzat 24 - vjeçare dhe 18-vjeçare, i ka kërcënuar ato dhe e ka sulmuar fizikisht vajzën 24-vjeçare.
Ohër - Niveli i ujit në Liqenin e Ohrit është në 693.73 metra mbi nivelin e detit ose 24 centimetra mbi mesataren për muajin mars (693.49 metra mbi nivelin e detit). Niveli i ujit të liqenit është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar, kur në mars niveli i ujit në liqen ishte më shumë se 30 centimetra nën mesataren mujore ose disa centimetra mbi minimumin e lejuar. Temperatura e ujit në liqen është 6,5 gradë Celsius, që është një gradë më e ftohtë se mesatarja e marsit. "Kondicioni" i mirë në të cilën ndodhet liqeni për sa i përket niveleve të ujit është për shkak të periudhave intensive të shiut që kanë përfshirë rajonin në muajt e fundit.
Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot nënshkroi dekretin për shpërndarjen e parlamentit dhe paralajmëroi se do të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme. Osmani deklaroi se pasi mbrëmë deputetët nuk arritën të zgjidhnin presidentin e shtetit, kjo gjë e shtyu Kosovën në zgjedhje të reja. “Kjo situatë mund të shmangej në tërësi. Është fatkeqësi e madhe që deputetët nuk e zgjodhën interesin e popullit”, theksoi Osmani. Ajo paralajmëroi se gjatë ditës do të mbajë konsultime me liderët e partive parlamentare për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Londër - Katër burra janë arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e një hetimi kundër terrorizmit, nën dyshimin për spiunazh në favor të Iranit, kumtoi sot të hënën policia Metropolitane e Londrës. Burrat dyshohen se kanë ndihmuar një shërbim të inteligjencës së huaj dhe kanë monitoruar lokacione të ndjeshme. Sipas raporteve të policisë, hetimi është përqendruar në dyshimet për mbikëqyrje të vendeve dhe individëve të lidhur me bashkësinë hebreje në zonën e Londrës. Arrestimet u kryen gjatë natës në adresa në veri të kryeqytetit britanik. Komandantja e njësisë kundër terrorizmit në Londër, Helen Flanagan, theksoi se kjo është pjesë e një hetimi afatgjatë.
Nju Jork – Afro 200 fëmijë janë vrarë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i sulmeve izraelite-amerikane ndaj Iranit, njoftoi Fondi për Fëmijë në kuadër të Kombeve të Bashkuara (UNICEF). Të paktën 181 fëmijë janë vrarë në Iran, shtatë në Liban, tre në Izrael dhe një në Kuvajt. Fëmijët nuk i fillojnë luftërat, por për ato paguajnë çmim jashtëzakonisht të lartë. Përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme tashmë kishte ndikim shkatërrues ndaj fëmijëve, theksohet në kumtesën e UNICEF-it. Sipas Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC), më 28 shkurt, ditën e parë të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, ishte goditur një shkollë për vajza në Minab në jug të Iranit, me çka u vranë të paktën 175 nxënëse.
Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi se nuk është i shqetësuar për rritjen e çmimeve të benzinës në vend për shkak të luftës me Iranin, duke shtuar se kjo rritje është më pak e rëndësishme në krahasim me kontekstin e zgjeruar të konfliktit. "Nuk kam kurrfarë shqetësimesh për këtë. Ato do të ulen shumë shpejt kur të mbarojë kjo, ndërsa nëse rriten, le të rriten, por kjo është shumë më e rëndësishme sesa një rritje e vogël e çmimit të benzinës", tha Tramp në intervistë për Rojters. Lufta me Iranin solli deri në rritje të çmimeve të benzinës për rreth 20 centë për galon, ose për shtatë për qind për disa ditë. Tramp shtoi se nuk ka plane t'i shfrytëzojë Rezervat strategjike të naftës, rezervat më të mëdha për raste urgjente në botë, të deponuara në shpella nëntokësore për kripë në Luiziana dhe Teksas.
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp mbrëmë deklaroi se Irani po tenton të arrijë marrëveshje me SHBA-në, por, "pak është vonë për këtë". "Ata paraqiten, pyesin: Si mund të arrimë marrëveshje? Unë thash: Pak vonoheni", tha Tramp, duke shtuar se SHBA-ja në këtë moment më shumë se Irani duan të vazhdojnë të luftojnë. Ai paralajmëroi se armata amerikane, së bashku me Izraelin, i vazhdon operacionet e veta kundër Iranit. "Ushtria e SHBA-së, së bashku me partnerët e shkëlqyeshëm izraelitë, vazhdon që plotësisht ta shkatërrojë armikun, shumë para afatit të paraparë dhe në nivele që nuk janë parë deri tani", tha Tramp.
Teheran – Universitetet përgjatë Iranit janë mbyllur deri në njoftimin e mëtutjeshëm për shkak të luftës, njoftuan sot mediat iraniane, transmetoi DPA. Të gjitha aktivitetet akademike janë pezulluar, njoftoi portali onllajn i orientuar drejt reformave “Eshallat njuz”, duke iu referuar Ministrisë së Shkencës. Sipas raportit, edhe orët me prani fizike dhe mësimi onllajn janë ndërprerë, transmeton DPA.
Tel Aviv – Më shumë se 1.600 persona janë trajtuar në spitalet izraelite që nga fillimi i luftës me Iranin, bëri të ditur sot Ministria e Shëndetësisë së Izraelit. Sipas të dhënave zyrtare, bilanci i viktimave përfshin persona të plagosur në sulmet me raketa, qytetarë që u lënduan ndërsa shkonin me urgjencë në strehimore, si dhe individë që u është dhënë ndihmë për shkak të ankthit dhe shokut të rëndë. Vetëm në 24 orët e fundit, 140 persona janë shtruar në spitale pas sulmeve me raketa, njëri prej të cilëve ka marrë lëndime të rënda trupore, saktëson Ministria. Që nga fillimi i operacioneve ushtarake të shtunën e kaluar, gjithsej 11 persona kanë vdekur në Izrael.