• среда, 14 јануари 2026

MF: Me sukses u realizua emetimi i Eurobondit të 10-të - besim i fuqishëm nga investitorët ndërkombëtarë

MF: Me sukses u realizua emetimi i Eurobondit të 10-të - besim i fuqishëm nga investitorët ndërkombëtarë

Shkup, 13 janar 2026 (MIA) – Ministria e Financave me sukses e realizoi ankandin për emetimin e Eurobondit të 10-të. Ministria vendosi të emetojë eurobond me dy këste me nga 500 milionë euro – me afat prej 4 vjet dhe me afat prej 8 vjet. 

"Fakti që Ministria arriti të emetojë një obligacion tetëvjeçar flet më tej për besimin në planet e reformës së Ministrisë së Financave dhe Qeverisë, duke pasur parasysh se hera e fundit që një maturim i tillë u arrit ishte më shumë se njëzet vjet më parë. Vetëm një orë pas shpalljes së normave fillestare të interesit, kërkesa e investitorëve arriti një shifër mbresëlënëse prej dy miliardë eurosh, me një bazë të diversifikuar investitorësh në të gjithë botën, duke përfshirë investitorë të shquar institucionalë nga Gjermania, SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Para hapjes së tregut amerikan, libri i investitorëve arriti deri në tre miliardë euro, ndërsa pas hapjes së tij oferta maksimale tejkaloi katër miliardë euro, që është një tregues i jashtëzakonshëm i besimit të fortë në politikat ekonomike dhe stabilitetin e vendit", njoftoi Ministria e Financave (MF).

Më shumë se 150 investitorë globalë shprehën interesim ta mbështesin shtetin në këtë projekt, që, siç theksohet, përfaqëson dëshmi cilësore shtesë në favor të strategjisë fiskale të Ministrisë së Financave. 

Në rastin e dy kësteve, norma e interesit është më e afërt në lidhje me vlerën referente të Euribor, duke i krahasuar të gjitha emetimet e obligacioneve gjatë njëzete viteve të fundit. 

Normat e interesit për dy këstet janë: 3,875 % për këstin me afat maturimi prej 4 vjet dhe 4,750% për këstin me afat maturimi prej 8 vjet. 

"Duke zgjedhur momentin strategjik të emetimit, si dhe strukturën e borxhit, u arrit ulje e ndjeshme e rendimenteve - konkurruese me vendet me vlerësime krediti investimi (rreth 0,5% krahasuar me mesatare prej 0,25%). Kjo konfirmohet më tej nga fakti i kërkesës së lartë nga investitorët më të shquar ndërkombëtarë. Dalja në tregun ndërkombëtar ka një natyrë strategjike, duke marrë parasysh turbulencat e mundshme në fushën e gjeopolitikës dhe pasigurinë makroekonomike në nivel global", thuhet në kumtesë.

Ministria e Financave thekson se mbetet e përkushtuar në transparencë dhe qëndrueshmëri, me qëllim të sigurimit të kushteve më të favorshme për financim dhe fuqizim të pozitës së vendit në tregjet financiare ndërkombëtare. 

"Në drejtim të menaxhimit të përgjegjshëm dhe strategjik të financave publike, Ministria e Financave punoi intensivisht në tremujorin e fundit të vitit 2025 mbi analizën e kushteve të tregut me qëllim përcaktimin e momentit më të përshtatshëm për dalje strategjike në tregun ndërkombëtar të kapitalit në fillim të vitit 2026. Si pjesë e këtyre aktiviteteve, ekipi i Ministrisë së Financave vizitoi Londrën në nëntor, ku në organizim të bankave kryesore të investimeve, e prezantoi vendin para më shumë se 40 investitorëve. Në periudhën nga 11 deri më 12 janar 2026, Ministria zhvilloi takime me më shumë se 60 investitorë globalë, duke përfshirë fondet më të mëdha të pensioneve dhe kompanive të sigurimeve nga SHBA-ja, si dhe fondet e investimeve nga i gjithë Bashkimi Evropian. Bank of America luajti një rol udhëheqës në koordinimin e procesit të emetimit të obligacionit", bëri të ditur MF-ja.

Me këtë Eurobond, i planifikuar në Buxhetin për vitin 2026 do të bëhet pagesa e Eurobondit të emetuar në vitin 2020 në vlerë prej 700 milionë euro dhe sigurohen mjete për deficitin buxhetor i cili është i drejtuar drejt realizimit të projekteve zhvillimore. 

Emetimi i Eurobondit është sipas përpjekjeve të Ministrisë së Financave për menaxhim adekuat me borxhin publik dhe të ruhet qëndrueshmëria e financave publike në afat të mesëm dhe të gjatë. 

"Shteti u bë vendi i parë në rajon dhe vendi i parë jashtë Bashkimit Evropian i cili del në tregun ndërkombëtar të kapitalit, që dëshmon për besimin në përpjekjet e Ministrisë së Financave, veçanërisht duke pasur parasysh vlerën e borxhit", theksojnë nga MF. fc/

Foto: MF

 

Остани поврзан