Mesazhi i kreut të BFI-së, Shaqir ef. Fetai me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit
- Me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir Fetai, uron të gjithë besimtarët myslimanë duke bërë thirrje për tolerancë, mirëkuptim, solidaritet dhe respekt të ndërsjellë.
Shkup, 18 shkurt 2026 (MIA)- Me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir Fetai, uron të gjithë besimtarët myslimanë duke bërë thirrje për tolerancë, mirëkuptim, solidaritet dhe respekt të ndërsjellë.
Fetai thotë se Ramazanin është periudhë reflektimi, afrimi me njëri-tjetrin dhe forcimi të vlerave.
“Le ta fillojmë këtë Ramazan me vendosmëri për ndryshim të vërtetë. Le ta përdorim këtë muaj për pajtim me Allahun përmes pendimit të sinqertë dhe për pajtim me njëri-tjetrin përmes faljes dhe mirëkuptimit. Le ta bëjmë sinqeritetin themel të çdo veprimi dhe përgjegjësinë kriter të çdo vendimi. Lusim Allahun e Madhëruar që ky Ramazan të jetë muaj pastrimi të zemrave, forcimi të besimit dhe ngritjeje morale për secilin prej nesh”, deklaroi ai.
Sipas Fetait, Ramazani vjen si thirrje për qetësi të brendshme dhe për riorganizim të jetës sonë rreth asaj që është thelbësore.
“Qëllimi i agjërimit është devotshmëria. Devotshmëria është vetëdije e përhershme për Allahun, që e orienton njeriun në mendim, në fjalë dhe në veprim. Ajo është ndërgjegje morale që e mban njeriun të drejtë edhe kur është vetëm dhe të përgjegjshëm edhe kur askush nuk e sheh. Përhair na qoftë ardhja e muajit të Ramazanit. Allahu ju bekoftë”, thekson në mesazhin e tij Reisul ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai.