Meksika hodhi poshtë pretendimet se operativët e CIA-s kryen bastisje vdekjeprurëse kundër karteleve të drogës në vend
- Autoritetet meksikane dhe Agjencia qendrore e inteligjencës amerikane (CIA) hodhën poshtë akuzat e "Si-en-en" se operativët e CIA-s ishin të përfshirë drejtpërdrejt në sulmet vdekjeprurëse të kryera vitin e kaluar ndaj karteleve të drogës në Meksikë.
Meksiko Siti, 13 maj 2026 (MIA) - Autoritetet meksikane dhe Agjencia qendrore e inteligjencës amerikane (CIA) hodhën poshtë akuzat e "Si-en-en" se operativët e CIA-s ishin të përfshirë drejtpërdrejt në sulmet vdekjeprurëse të kryera vitin e kaluar ndaj karteleve të drogës në Meksikë.
Një raport i publikuar në televizionin amerikan, duke cituar burime anonime, pohon se CIA ka rritur operacionet e fshehta në Meksikë me njësi elitare, duke përfshirë pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në operacione për likuidime.
Ministri meksikan i Sigurisë, Omar Garsia Harfuç, deklaroi se qeveria "hedh poshtë kategorikisht të gjitha versionet e ngjarjeve që përpiqen të normalizojnë, justifikojnë ose sugjerojnë ekzistencën e operacioneve vdekjeprurëse, sekrete ose të njëanshme nga agjencitë e huaja në territorin meksikan".
Zëdhënësja e CIA-s, Liz Lajons, përmes platformës "Iks", vlerësoi se ky është "raportim i rremë dhe provokues" që, sipas saj, u shërben karteleve dhe vë në rrezik jetën amerikane.
Prania e operativëve të CIA-s në Meksikë në javët e fundit ka shkaktuar tensione të mëtejshme në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Më 19 prill, dy funksionarë amerikanë vdiqën në një aksident në shtetin verior meksikan të Çivavas, ndërsa ktheheshin nga një operacion sigurie për çmontimin e një laboratori droge. Sipas burimeve nga agjencitë botërore, ata ishin operativë të CIA-s.
Presidentja meksikane Klaudia Sheinbaum deklaroi se qeveria federale nuk ishte informuar për përfshirjen e nënpunësve amerikanë në operacion dhe tha se një prani e tillë e paautorizuar nuk duhet të përsëritet.
Ajo përsëriti se Meksika mbështet ndarjen e inteligjencës dhe bashkëpunimin e sigurisë me SHBA-në, por nuk do të lejojë që agjentët ose forcat amerikane të marrin pjesë në operacione në territorin meksikan.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Tramp, megjithatë, ka bërë thirrje të përsëritura për përdorim më intensiv të forcës ushtarake amerikane kundër karteleve meksikane dhe ka paralajmëruar se SHBA-ja mund të veprojnë në mënyrë të pavarur nëse Uashingtoni vlerëson se Meksika nuk po merr masa të mjaftueshme. rq/
Foto: arkivi i MIA-s