Mediat kosovare: Shtetasi i vrarë nga Maqedonia e Veriut në Prishtinë është Blerim Daci
- Shtetasi i Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili mbrëmë mbeti i vrarë në Prishtinë në një incident të armatosur është identifikuar nga disa media kosovare si Blerim Daci, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Prishtinë, 15 qershor 2023 (MIA) - Shtetasi i Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili mbrëmë mbeti i vrarë në Prishtinë në një incident të armatosur është identifikuar nga disa media kosovare si Blerim Daci, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Sipas portalit "Insajderi" e cila ka publikuar edhe fotografinë e viktimës, Daci ka qenë i njohur edhe më herët për organet e drejtësisë dhe policinë për shkak të përfshirjes në tregtinë me drogë.
Në njoftimin e sotëm të policisë së Kosovës thuhet se viktima është zbuluar nga njësitet kompetente policore në një automjet me targa të Maqedonisë së Veriut, ndërsa jo më larg vendit të ngjarjes është gjetur një automjet i djegur që supozohet se është përdorur për vrasjen.
"Tani për tani kryerës të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, një burrë, shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Njësitet kompetente policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë vërejtur se në një automjet me targa të Maqedonisë së Veriut gjendet një person, ndërsa mjeku kompetent ka konstatuar se personi nuk ka shenja jete. Rreth një kilometër nga vendi i ngjarjes është gjetur veturë e djegur me targa gjermane, për çka dyshohet se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes", thuhet në komunikatë.
Zëdhënësja e policisë së Kosovës, Flora Ahmeti mbrëmë deklaroi për mediat se në makinën e djegur janë gjetur dy pushkë automatike "kallashnikov" ku supozohet se është kryer vrasja ndaj shtetasit të Maqedonisë së Veriut. qa/