Mediat: Kabineti izraelit i sigurisë shqyrton opsionin e armëpushimit njëjavor me Libanin
- Kabineti izraelit për siguri po shqyrton një armëpushim njëjavor në Liban për shkak të presionit nga SHBA.
Tel Aviv, 16 prill 2026 (MIA) - Kabineti izraelit për siguri po shqyrton një armëpushim njëjavor në Liban për shkak të presionit nga SHBA.
"Vlerësimi ynë është se brenda pak ditësh nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të ndërpresim plotësisht zjarrin në Liban", tha një burim i lartë politik izraelit për Kanal 12 pas takimit të kabinetit që përfundoi vonë mbrëmë, bën të ditur "Tajms of Izrael".
Mediat bëjnë të ditur se SHBA po ushtron presion ndaj Izraelit që të bie dakord për armëpushim të përkohshëm njëjavor i cili thuhet se do të ndihmojë bisedimet e mbështetura nga SHBA midis Izraelit dhe Libanit, si dhe përpjekjet e Uashingtonit për të arritur marrëveshje me Iranin për t'i dhënë fund luftës në atë vend.
Burime nga qeveria libaneze dhe Hezbollahu deklaruan se përpjekjet për të arritur armëpushim janë duke u zhvilluar.
Takimi i kabinetit të sigurisë i kryesuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, përfundoi pa ndonjë vendim. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Tramp informoi se një takim midis liderëve të Izraelit dhe Libanit do të zhvillohej sot, ndërsa Libani tha se nuk ishte në dijeni të kësaj.
"Libani nuk është në dijeni të ndonjë kontakti të ardhshëm me Izraelin", deklaroi për Bi-Bi-Si një zyrtar anonim nga zyra presidenciale e vendit.
Foto: arkivi