• петок, 15 мај 2026

Media britanike: Presione të intensifikuara për dorëheqjen e kryeministrit Kir Starmer

Media britanike: Presione të intensifikuara për dorëheqjen e kryeministrit Kir Starmer

Londër, 12 maj 2026 (MIA) - Kryeministri britanik Kir Starmer po përballet me krizën më serioze të lidershipit që nga fillimi i mandatit të tij, në një kohë kur anëtarë të kabinetit të tij dhe dhjetëra deputetë kanë kërkuar që ai të mendojë për tërheqjen nga funksioni. 

Sipas raporteve të publikuara në mediat britanike, ministrja e Punëve të Brendshme Shabana Mahmud, thuhet se në biseda private ka bërë thirrje për një “proces të rregullt tranzicioni”, ndërsa rreth 75 deputetë të Partisë Laburiste kanë kërkuar që kryeministri të tërhiqet pas rezultateve të dobëta zgjedhore.

Katër ndihmës të qeverisë kanë dhënë dorëheqje, duke përmendur si arsye humbjen e besimit në lidershipin e tij, ndërsa disa zyrtarë paralajmërojnë se autoriteti i Starmerit po dobësohet dhe kërkojnë që ai të vendosë një afat për një largim të mundshëm nga “Daunin strit 10”.

Në një atmosferë politike të tensionuar, për sot është caktuar një mbledhje urgjente e kabinetit, ndërsa mes ministrave ekziston përçarje rreth hapave të ardhshëm.

Ministri i Mbrojtjes Xhon Hili, sipas burimeve, bëri thirrje për shmangien e një procesi kaotik dhe përqendrimin në menaxhimin e vendit përballë rreziqeve gjeopolitike dhe ekonomike.

Ndërkohë, zëvendësministri i Shëndetësisë Stiven Kinok ka deklaruar se disa ministra “ndoshta” në seancë do të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, duke paralajmëruar se kjo mund të shkaktojë kaos politik.

Starmer paraprakisht deklaroi se nuk do të tërhiqet dhe do t'ua dëshmojë kritikëve se po gabojnë, por presioni nga disa deputetë vazhdon të rritet.

Ish-ministrja Ketrin Vest, paralajmëroi se do të nisë një procedurë për të vendosur një afat të përshpejtuar për dorëheqjen e kryeministrit deri në shtator, një iniciativë që gjoja është mbështetur nga rreth 80 deputetë.

Presioni politik ndaj Starmerit është rritur ndjeshëm pas zgjedhjeve lokale, në të cilat Partia Laburiste humbi rreth 1.500 këshilltarë, shënoi rënie të mbështetjes në Skoci dhe përfundoi në vendin e tretë në Uells.

Në një përpjekje për të qetësuar pakënaqësinë, Starmeri tha në një fjalim në Londër se merrte përgjegjësinë për rezultatet, por do të vazhdonte të punonte, duke e përshkruar situatën aktuale politike si "betejë për shpirtin" e Mbretërisë së Bashkuar. Ai gjithashtu njoftoi reforma në sistemin e mësimdhënies për të mbështetur bizneset e vogla dhe të rinjtë, si pjesë e një përpjekjeje për të zhvendosur agjendën politike drejt çështjeve ekonomike.

Edhe krahas krizës, një pjesë e deputetëve publikisht u ndalën në mbrojtjen e tij, duke theksuar se kryeministri e kupton “madhësinë e sfidave” me të cilat përballet vendi.

Ministri i Shëndetësisë, Ues Striting, i cili përmendet si lider i mundshëm të ardhshëm, por i mohon ambiciet e tilla, ende nuk ka biseduar me Starmerin për situatën aktuale.

Dorëheqjet e ndihmësve parlamentarë të afërt me ministrin Striting, të cilët mbështesin “kornizë të shpejtë kohore” si zëvendësim të kryeministrit, edhe më shumë i fuqizuan spekulimet se ai ka mundësi të hyjë në garë për lider të Partisë Laburiste, vlerësojnë mediat britanike.

Ndërkohë, disa mbështetës të kryetarit të komunës së Mançesterit, Endi Burnham, i cili është përmendur gjithashtu si kandidat i mundshëm për të pasuar Kir Starmerin, po shprehin shqetësime për mbajtjen shumë të shpejtë të zgjedhjeve për lidership. Burnam do të duhet të bëhet përsëri deputet përmes zgjedhjeve të pjesshme përpara se të hyjë plotësisht në garën për kryeministër.

Në përpjekje që të ndikojë mbi debatin brendapartiak, ish zëvendëskryeministrja Anxhela Rejner, i cili gjithashtu përmendet si kandidat potencial, bëri thirrje për tejkalimin e ndarjeve të brendshme.

Në fjalimin para Sindikatës së të punësuarve në sektorin e komunikimit ajo porositi se vendimi të cilin e bllokon Burnami duhet të “korrigjohet” dhe se partia duhet ta vendosë “interesin e përbashkët para fraksioneve”.
 
“Si parti duhet të jemi më të mirë nga kjo dhe mundemi të dëshmojmë se me të vërtetë qëndrojmë pas vlerave tona laburiste vetëm nëse e vendosim interesin e përgjithshëm para ndarjeve të fraksioneve”, deklaroi Rejneri. ls/fc/
Foto: Arkivi i MIA-s
 
 

Остани поврзан