• вторник, 24 март 2026

Me seancë solemne dhe ndarjen e mirënjohjeve shënohet 3 Marsi - Dita e Komunës së Tetovës

Me seancë solemne dhe ndarjen e mirënjohjeve shënohet 3 Marsi - Dita e Komunës së Tetovës

 Tetovë, 3 mars 2025 (MIA) - Këshilli i Komunës së Tetovës sot me një seancë solemne e shënoi  3 Marsin - Ditën e Komunës së Tetovës.

 Me këtë rast fjalim pati kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Më pas iu ndanë mirënjohje 39 individëve të shquar, klubeve, organizatave dhe personave juridikë në shenjë mirënjohjeje për rezultatet e arritura në fusha të ndryshme të jetës së përditshme dhe kontributin e veçantë të dhënë në afirmimin e qytetit të Tetovës.

 "Komisioni për Nndarjen e Çmimeve dhe Mirënjohjeve ka bërë një punë të shkëlqyer dhe shumë të vështirë, sepse është e vështirë të zgjedhësh midis shumë banorëve të Tetovës që punojnë për të mirën e përbashkët. Sot, në këtë listë përfshihen veteranë në arsim, persona nga fusha të ndryshme, mjekë, sportistë, njerëz nga arti dhe kultura, zejtarë, gazetarë dhe profile të tjera. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve tanë të kontribuojnë çdo ditë dhe me përkushtim për një shoqëri më të përparuar dhe një qytet më të bukur dhe më të vlefshëm", theksoi kryetari Kasami.

 Komuna e Tetovës e shënon 3 Marsin e vitit 1992, ditën kur u konstituua Këshilli i parë shumëpartiak i Komunës së Tetovës.

 "Po shënojmë një ditë të rëndësishme për komunën tonë - ditën kur për herë të parë u formua  këshilli shumëpartiak, duke shënuar fillimin e ndryshimeve shoqërore në nivel lokal. Me këtë ndryshim, u hodhën themelet e vetëqeverisjes lokale me pjesëmarrjen jo vetëm të subjekteve politike, por edhe të qytetarëve, të cilët marrin pjesë drejtpërdrejt në funksionimin e vetëqeverisjes lokale. Dita e Komunës është një festë e bashkimit, vlerave demokratike, transparencës, llogaridhënies dhe përfshirjes së të gjithë aktorëve shoqërorë në krijimin e politikave në interes të qytetarëve", theksoi Kasami.

 Data e sotme, 3 Marsi,  zyrtarisht ka filluar të festohet që nga viti 2003. Ky vendim u mor nga Këshilli i atëhershëm i Komunës së Tetovës, me këtë datë e zëvendësoi festën e mëparshme, 19 Nëntorin - Ditën e Çlirimit të Tetovës nga Pushtimi Fashist.  

Foto: MIA 


Остани поврзан