Magjari ka biseduar me Fon der Lajenin për zhbllokimin e mjeteve nga fondet evropiane për Hungarinë
- – Peter Magjar, udhëheqësi i partisë “Tisa” e cila fitoi në zgjedhjet parlamentare të dielën, njoftoi se ka biseduar me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, për zhbllokimin e mjeteve të ngrira evropiane për Hungarinë.
Budapest, 15 prill 2026 (MIA) – Peter Magjar, udhëheqësi i partisë “Tisa” e cila fitoi në zgjedhjet parlamentare të dielën, njoftoi se ka biseduar me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, për zhbllokimin e mjeteve të ngrira evropiane për Hungarinë.
Magjari në një status në profilin e tij në Fejsbuk thekson se në bisedën telefonike ishte arritur pajtim se lirimi i mjeteve është një nga prioritetet, me qëllim që qytetarët e Hungarisë sa më shpejtë të kenë qasje në fondet zhvillimore të Bashkimit Evropian.
Sipas tij, Komisioni Evropian ka porositur se do të bashkëpunojë me qeverinë e ardhshme hungareze që në afat sa më shkurt të arrihen rezultate konkrete dhe të mundësohet shfrytëzim i mjeteve nga fondet evropiane.
Magjari thekson se miliarda eurot për Hungarinë janë ngrirë për shkak të, siç thotë, korrupsionit në pushtetin hungarez, duke shtuar se lirimi i atyre mjeteve është me rëndësi kyçe për ekonominë kombëtare dhe qytetarët.
Nga Komisioni Evropian konfirmuan se Fon der Lajen ka biseduar me Magjarin, duke vlerësuar se bashkëpunimi me qeverinë e ardhshme hungareze është i rëndësishëm për përparimin në shfrytëzimin e mjeteve dhe për ruajtjen e afateve të parapara.
Bashkimi Evropian mban “të ngrira” rreth 17 miliardë euro, të dedikuara për Hungarinë nga fondet për kohezion dhe për rimëkëmbje pas krizës së kovidit. Arsye për këtë janë kontestet e ngritura juridike me Budapestin në lidhje me sundimin e drejtësisë, pavarësinë e gjyqësorit, liritë akademike, politikën e azilkërkuesve dhe të drejtat e bashkësisë LGBT në vend. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s