• петок, 20 февруари 2026

LSM fillon me bllokadat e paralajmëruara, nesër do të bllokojë qasjen në Kuvend

LSM fillon me bllokadat e paralajmëruara, nesër do të bllokojë qasjen në Kuvend

Shkup. 9 shkurt 2026 (MIA) - Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë nga nesër, me bllokimin e qasjes në Kuvendin e RMV-së, fillon me bllokadat e paralajmëruara të institucioneve të cilat, siç theksojnë, e bllokojnë rritjen e pagës minimale. 

Bllokada e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut do të fillojë në orën 9, me ç'rast do të bllokohen rrugët "Damë Gruev" dhe "11 Tetori". Me bllokadën, siç theksojnë nga LSM-ja, do t'u dërgohet një mesazh deputetëve se ata janë ata që e bllokojnë ligjin për rritjen e pagës minimale për më shumë se një vit dhe të cilët nuk duan ta pranojnë nismën e LSM-së për uljen e pagave të zyrtarëve. 

"Sipas ligjit, nevojiten të paktën 21 persona në të dy lokacionet për të bllokuar deputetët, por i ftojmë të gjithë ata që munden të na bashkohen. Bllokimi duhet t'u dërgojë një mesazh deputetëve se ata e kanë bllokuar ligjin për pagën minimale për më shumë se një vit, dhe për të njëjtën periudhë kohore çdo familje është më e varfër me 9.500 denarë në muaj sepse vlera e shportës minimale sindikale është rritur për kaq para. Deputetët ende po bëhen të shurdhër ndaj nismës së LSM-së për të rritur pagën minimale dhe pagat e tjera për 100 euro, si dhe ndaj nismës së fundit të LSM-së për të ulur pagat e tyre me 80 për qind, përkatësisht për të ulur bazën për llogaritjen e pagës së tyre nga paga mesatare në atë minimale dhe për të ulur koeficientët e kompleksitetit të tyre", deklaroi kryetari i LSM-së, Slobodan Trëndafilov në konferencën e sotme për shtyp.

Në bllokadën e nesërme do të marrin pjesë udhëheqësia dhe anëtarët e Sindikatës së  AOJSHQ-së, e cila dje, së bashku me KSL-në dhe Qeverinë, arriti marrëveshje për rritjen e shtesave të pagës për 40 për qind deri në vitin 2028.

"Nesër, Sindikata e  AOJSHQ-së do të ofrojë mbështetje sepse komponenti bazë për llogaritjen e pagave në administratë dhe gjyqësor është paga minimale. Nëse paga minimale rritet për 200 euro, pagat e tyre do të rriten për 200 euro. Megjithatë, është shqetësuese që për punonjësit në polici, mbrojtje dhe institucione të tjera, parashikohet zero përqind, e aty pagat llogariten si paga minimale me shtesa të pagës", tha Trëndafilov.

Lidhur me marrëveshjen e arritur midis AOJSHQ-së dhe Qeverisë, Trëndafilov thotë se Sindikata e  AOJSHQ-së fitoi sepse një vit më parë  AOJSHQ kërkoi një rritje prej 30 për qind të shtesave të pagës për 3.000 punëtorë, ndërsa tani po merr 40 për qind për 11.000 punëtorë.

"Qeveria, menjëherë pas protestës së madhe të punëtorëve më 28 janar, ofroi një rritje prej 40 për qind për 7.700 punëtorë, kurse Sindikata e  AOJSHQ-së arriti të sigurojë një rritje për më shumë se 11.000 punëtorë", theksoi Trëndafilov.

Pas bllokadës së nesërme, të enjten është paralajmëruar bllokadë e Odës Ekonomike, ndërsa të martën e ardhshme e Qeverisë. ls/

Foto: MIA

 

Остани поврзан