• понеделник, 29 декември 2025

Ljutkov: Këtë vit treguam se kultura dhe turizmi nuk janë shpenzim, por investim strategjik në identitetin, njohjen ndërkombëtare dhe zhvillimin

Ljutkov: Këtë vit treguam se kultura dhe turizmi nuk janë shpenzim, por investim strategjik në identitetin, njohjen ndërkombëtare dhe zhvillimin

Shkup, 26 dhjetor 2025 (MIA) - Ky vit, 2025, tregoi se kultura dhe turizmi nuk janë shpenzim, por investim strategjik në identitetin, njohjen ndërkombëtare dhe zhvillimin ekonomik të shtetit. Me buxhet të rritur, realizim rekord të programeve, investime konkrete kapitale dhe prani të fuqishme ndërkombëtare, treguam se kur ka vizion, përgjegjësi dhe transparencë rezultatet janë të dukshme dhe të matshme, tha ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov në llogaridhënien e tij për punën e bërë këtë vit.

Këto, shtoi, nuk janë vetëm numra dhe projekte në letër, por ngjarje të gjalla kulturore, institucione të ripërtërira, trashëgimi të mbrojtur dhe dyer të hapura drejt Evropës dhe botës.

Sipas tij, në fushën e kulturës, fokusi ishte kahëzuar drejt stabilizimit të mbështetjes sistematike për institucionet, avancimin e kushteve për punë dhe realizim të projekteve të rëndësishme kapitale programore, me vëmendje të posaçme në krijimtarinë vendore, artistët dhe punonjësit e kulturës. Këtë vit. shtoi ai, e shënuan edhe jubile të rëndësishëm, mes të cilëve 80-vjetori i Teatrit popullor të Maqedonisë - përkujtues se institucionet kulturore nuk janë vetëm hapësira, por bartës të memories kolektive, vlerave dhe vazhdimësisë së një shoqërie.

Në pjeësn e turizmit, punuan në strategji më të qartë dhe promovim më efikas të Maqedonisë si destinacion turistik. Fokusi ishte vënë në ndërtimin e partneriteteve të reja, mbështetje të nismave lokale dhe zhvillim të turizmit të qëndrueshëm, turizëm që e resoekton natyrën, trashëgiminë kulturore dhe bashkësitë lokale. Qëllimi ynë, tha Ljutkov, është Maqedonia të mos jetë vetëm vend që përkujton, por destinacion që lë përshtypje dhe mbahet mend.

Ministri i Kulturës dhe Turizmit theksoi se këtë vit buxheti i institucionit me të cilin kryeson është 4 miliardë e 600 milionë e 965 mijë denarë.

Paralajmëroi se deri në vitin tjetër buxheti do të jetë më i madh se këtë vit për 8,5 për qind dhe do të paraqesë 5 miliardë e 520 milionë e 504 mijë denarë, dhe plus 700 milionë për turizëm të cilat i morën në llogari të posaçme.

Siç theksoi, ajo që e ka shënuar këtë vit ishte niveli i lartë i realizimit të Programit vjetor - madje 97 për qind, që, sipas tij, paraqet hap të madh përpara pas një periudhe të gjatë kohore. Për herë të parë, tha, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka financuar 18 institucione nacionale me buxhet të deleguar, në bazë të rezultateve të tyre të jashtëzakonshme në punë, duke paralajmëruar se kjo praktikë do të vazhdojë dhe do të zgjerohet edhe në periudhën në vijim.

Në pjesën e bashkëpunimit ndërkombëtar kulturor, buxheti ishte rritur për pothuajse 50 për qind në raport me vitin 2024, ndërsa janë realizuar paraqitje të shumta të institucioneve nacionale, shoqatave qytetare dhe artistëve jashtë vendit.

Këtë vit përmes Programit për ndërtim, rikonstruim, sanim dhe adaptim të objekteve që i shfrytëzojnë institucionet publike nga fusha e kulturës, janë realizuar aktivitete të rëndësishme në disa projekte kapitale.

Në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore realizimi i programit në vitin 2025, siç tha, qartë konstaton se kujdesi për trashëgiminë kulturore është i vazhdueshëm, sistematik dhe me përgjegjësi, dhe zbatohet në pajtim me normat dhe standardet nacionale dhe ndërkombëtare. Ky vit u shënua me aktivitete intensive në disa lokalitete të rëndësishme dhe objekte me rëndësi të posaçme kulturore dhe historike për shtetin.

Ai foli edhe për projektin "Shkupi - Kryeqytet evropian i kulturës 2028", i cili, siç tha, është ngjarje kyçe kulturore për shtetin dhe kryeqytetin.

Ky, tha, nuk është vetëm titull, por vizion afatgjatë që e vendosë kulturën në qendrën e zhvillimit dhe e pozicionon Shkupin si metropol bashkëkohor evropian. Sipas tij, konfirmimi i mbështetjes evropiane në Bruksel më 20 nëntor e stabilizoi tërë procedurën dhe e kahëzoi procesin drejt funksionimit transparent dhe profesional.

Në pjesën e rregullativës ligjore, informuan se në ENER janë publikuar propozim-ndryshimet e Ligjit për të drejtën autoriale dhe të drejtat e ngjashme, si dhe dy ligje lidhur me menaxhimin dhe ,brojtjen e trashëgimisë kulturore në Rajonin e Ohrit, me qëllim të implementimit të rekomandimeve nga misionet reaktive monitoruese të UNESKO-s. Paralelisht, në Ministri janë formuar grupe pune për përpunimin e një Ligji të ri për kulturë, Ligji të ri për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe për përpunimin e Strategjisë nacionale për zhvillim të kulturës për periudhën 2025-2029. ab/

Foto: МIА

 

 

 

 

 

 

Остани поврзан