Livit: Irani do të jetë "shumë i zgjuar" nëse arrin një marrëveshje me SHBA-në
- Do të ishte mirë që Irani të këshillohet për të arritur një marrëveshje me SHBA-të, njoftoi mbrëmë Shtëpia e Bardhë, duke përsëritur se diplomacia mbetet opsioni që preferon presidenti Donald Tramp, transmeton DPA.
Uashington, 19 shkurt 2026 (MIA) - Do të ishte mirë që Irani të këshillohet për të arritur një marrëveshje me SHBA-të, njoftoi mbrëmë Shtëpia e Bardhë, duke përsëritur se diplomacia mbetet opsioni që preferon presidenti Donald Tramp, transmeton DPA.
Në pyetjen për një veprim të mundshëm ushtarak, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Livit, tha se ka "shumë arsye dhe argumente" që mund të paraqiten për një sulm ndaj Iranit.
"Presidenti ka qenë gjithmonë shumë i qartë në lidhje me Iranin apo me cilindo vend në botë, diplomacia është gjithmonë opsioni i tij i parë, ndërsa Irani do të ishte shumë i zgjuar nëse do të arrinte një marrëveshje me presidentin Tramp", tha Livit.
Të martën në Gjenevë u mbajt raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet SHBA-së dhe Iranit. Pas takimit, Teherani i uli pritshmëritë për një përparim të shpejtë, edhe pse shefi i diplomacisë, Abas Aragçi, tha se rruga drejt një marrëveshjeje ka filluar, kujton DPA.
Një zyrtar amerikan i paemëruar vlerësoi se është arritur përparim, edhe pse shumë detaje mbeten të pazgjidhura. Pritet që pala iraniane të kthehet brenda dy javësh me propozime të detajuara të fokusuara në zvogëlimin e dallimeve ndërmjet dy palëve, deklaroi një zyrtar i lartë i administratës.
Diskutimet më të reja janë përqendruar kryesisht në programin bërthamor të Iranit, pasi Uashingtoni prej vitesh përpiqet ta pengojë Teheranin që të sigurojë armë bërthamore.
Irani, i cili mohon se po përpiqet të sigurojë armë të tilla, ka sinjalizuar se është i gatshëm ta kufizojë programin e tij civil bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve të ashpra ekonomike nga ana e SHBA-së. Megjithatë, Teherani i ka hedhur poshtë negociatat për çështje të tjera, siç është zvogëlimi i programit të tij raketor.
Bisedimet po zhvillohen në kushte të përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit, pasi forcat iraniane të sigurisë shtypën brutalisht valën e protestave në janar, gjatë së cilës mijëra persona u raportuan të vrarë. Në përgjigje të kësaj, Trampi kërcënoi udhëheqjen iraniane me ndërhyrje ushtarake dhe dërgoi një armatë të madhe ushtarake në rajonin e Lindjes së Mesme, duke përfshirë dy aeroplanmbajtëse, kujton DPA. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s