• сабота, 16 мај 2026

Levit: Raundi i ardhshëm i bisedimeve amerikano - iraniane sipas gjitha gjasave në Pakistan

Levit: Raundi i ardhshëm i bisedimeve amerikano - iraniane sipas gjitha gjasave në Pakistan

Uashington, 16 prill 2026 (MIA) – Raundi i ardhshëm i bisedimeve ndërmjet SHBA-së dhe Iranit sipas gjitha gjasave do të mbahet në Islamabad, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Levit. 

Ajo theksoi se Pakistani është ndërmjetësuesi i vetëm në bisedime, për të cilat tha se “janë produktive dhe në vijim”.  

Leviti i demantoi raportimet e mediave se Uashingtoni ka kërkuar vazhdimin e armëpushimit aktual. 

“Pashë raportime këtë mëngjes, një raport të pasaktë se ne kemi kërkuar zyrtarisht zgjatje të armëpushimit. Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi të angazhuar intensivisht në negociata në këtë kohë", tha ajo.

Sipas saj, delegacioni amerikan ka “ndjenjë të mirë” sa i përket mundësive për arritjen e marrëveshjes.

Në pyetjen sa do të zgjasë bllokada në Ngushticën e Hormuzit, Leviti tha se “nuk mund të vendosë afate në emrin e presidentit”. 

"Sa i përket bllokadës, siç e dini, ajo është zbatuar plotësisht dhe vlen për anijet nga të gjitha vendet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane... Ajo mbulon të gjitha portet iraniane në Gjirin Arabik dhe Gjirin e Omanit, ndërsa forcat tona në rajon mbështesin lirinë e lundrimit për anijet që kalojnë nëpër ngushticë, për në dhe nga portet jo-iraniane. Jam në dijeni se disa nga mediat ishin të hutuara për këtë çështje. Ne mbështesim lirinë e lundrimit, por jo kur bëhet fjalë për ndonjë anije cisternë ose anije që do të përfitonte ekonominë iraniane ndërsa negociatat janë në vazhdim", theksoi Leviti.

Bisedimet mes të dyja palëve u mbajtën në Islamabad, kur delegacionin e SHBA-së e kryesoi nëpresidenti Xhej Di Vens, ndërsa delegacionin iranian kryetari i Parlamentit, Mohamed Bager Kalibaf, por nuk u arrit marrëveshje për paqe të përhershme. 

Paraprakisht, mediat arabe publikuan përparim të dukshëm, me çka autoritetet pakistaneze shfaqën shpresë për rezultate konkrete. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан