Lavrov: Ukraina tentoi ta vriste gjeneralin rus në Moskë
- Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov ka akuzuar Ukrainën për tentativën e vrasjes së gjeneral kolonelit rus Vladimir Alekseev i cili sot u qëllua në Moskë.
Moskë, 6 shkurt 2026 (MIA) – Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov ka akuzuar Ukrainën për tentativën e vrasjes së gjeneral kolonelit rus Vladimir Alekseev i cili sot u qëllua në Moskë.
Sipas Lavrovit, atentati ndaj Alekseevit është përpjekje e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski për ta “sabotuar procesin e paqes” pas negociatave në Abu Dabi.
Alekseevi është shtruar në spital në gjendje të rëndë. Ai është zëvendësshefi i parë i Drejtorisë kryesore të inteligjencës së Shtatmadhorisë së Forcave të armatosura ruse. Gjatë kryengritjes së grupit mercenar rus “Vagner” në qershor 2023, Alekseevi ka qenë një nga negociatorët me Evgenij Prigozhinin.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, disa zyrtarë të lartë ushtarakë rusë kanë qenë cak i atentateve për të cilat Moska fajëson Kievin.
foto: EPA