• сабота, 16 мај 2026

Lavrov mbërriti për vizitë dy ditore në Kinë

Lavrov mbërriti për vizitë dy ditore në Kinë

Pekin, 14 prill 2026 (MIA) - Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov mbërriti në Kinë për vizitë zyrtare dy-ditore, gjatë së cilës të dyja palët do të koordinojnë qëndrimet e tyre, siç kumtoi Pekini, për çështjet aktuale ndërkombëtare.

Ministri kinez i Punëve të Jashtme, Vang Ji dhe homologu i tij rus do të "koordinojnë qëndrimet e tyre mbi zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si dhe çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët", deklaroi dje zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Guo Xhiakun. 

"Në vitet e fundit, të dy vendet kanë thelluar vazhdimisht marrëdhëniet e tyre të qëndrueshme të fqinjësisë së mirë dhe miqësisë dhe kanë zgjeruar koordinimin e tyre gjithëpërfshirës strategjik", shtoi ai.

Vizita e Lavrovit vjen në një kohë aktiviteti intensiv diplomatik, të përkeqësuar nga kriza në Lindjen e Mesme.

Dje, ministri rus i Punëve të Jashtme foli në telefon me homologun e tij iranian, Abas Aragçi.

Pekini ditët e fundit është nikoqir i një numri të madh të liderëve të huaj të cilët janë të shqetësuar për zhvillimet në Lindjen e Mesme, megjithëse kjo nuk u publikua si tema ose arsyeja kryesore e vizitës së tyre. Përveç Lavrovit, në kryeqytetin kinez mbërritën edhe Princi i Kurorës së Abu Dabit, Sheikh Halid bin Mohamed Al Nahjan, kryeministri spanjoll Pedro Sançez dhe presidenti vietnamez To Lam.

"Kina është e gatshme të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv dhe të kontribuojë në kthimin e paqes dhe qetësisë në rajonin e Gjirit Persik", i tha dje kryeministri kinez Li Keqiang Princit të Kurorës së Abu Dabit. ls/

Foto: Arkivi i EPA-s

 

Остани поврзан