Këshilli iranian i ekspertëve e zgjodhi djalin e Ali Hameneit si trashëgimtar të tij
- Me një vendim të Këshillit të Ekspertëve prej 88 anëtarësh, Moxhtaba Hamenei, djali i dytë i ajatollah Ali Hameneit të vrarë së fundmi, është shpallur zyrtarisht udhëheqësi i ri suprem i Republikës Islamike të Iranit. Ngritja e tij në pozicionin më të fuqishëm në vend vjen në një moment kritik, pas një serie sulmesh ushtarake nga SHBA dhe Izraeli që vranë babanë e tij, si dhe bashkëshorten e tij, Zahra Hadad Adel.
Teheran, 9 mars 2026 (MIA) - Me një vendim të Këshillit të Ekspertëve prej 88 anëtarësh, Moxhtaba Hamenei, djali i dytë i ajatollah Ali Hameneit të vrarë së fundmi, është shpallur zyrtarisht udhëheqësi i ri suprem i Republikës Islamike të Iranit. Ngritja e tij në pozicionin më të fuqishëm në vend vjen në një moment kritik, pas një serie sulmesh ushtarake nga SHBA dhe Izraeli që vranë babanë e tij, si dhe bashkëshorten e tij, Zahra Hadad Adel.
Vitet e para dhe përvoja ushtarake
Moxhtaba Hamenei lindi në vitin 1969 në qytetin e shenjtë të Mashhadit, dhjetë vjet para Revolucionit Islamik të vitit 1979. Pas rënies së Shahut dhe vendosjes së një rendi të ri, familja e tij u zhvendos në Teheran.
Biografia e tij është e lidhur ngushtë me historinë ushtarake të vendit. Gjatë Luftës Iran-Irak, ai mori pjesë aktive në front si pjesë e batalionit "Habib ibn Mazahir", një njësi brenda Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC). Kjo njësi konsiderohet vendimtare në ngritjen e tij, pasi shumë nga shokët e tij më vonë zunë pozicione të larta në strukturat e inteligjencës së Korpusit, me shumë mundësi me mbështetjen e familjes Hamenei.
Njeriu i hijes dhe "rojtari i portës"
Pasi babai i tij u bë udhëheqës suprem në vitin 1989, Moxhtaba filloi të ndërtonte në heshtje ndikim të madh. Ai dhe familja e tij fituan akses në miliarda dollarë asete biznesi të menaxhuara nga fondacione iraniane, të cilat ushqehen nga kompanitë shtetërore dhe ish pronat e shahut.
Edhe pse ai nuk mbajti kurrë një pozicion zyrtar qeveritar, kabllogramet diplomatike amerikane të publikuara nga "Uikiliks" në vitin 2008 e përshkruan atë si një "forcë të fshehur" në regjim. Dokumentet thonë se ai vepronte si "rojtari kryesor" për aksesin te babai i tij dhe madje përgjonte telefonatat e tij për të kontrolluar rrjedhën e informacionit. Diplomatët në atë kohë e përshkruanin atë si një "menaxher të aftë dhe të fortë" i cili po përgatitej për udhëheqje kombëtare.
Lidhjet me aparatin e sigurisë dhe sanksionet ndërkombëtare
Moxhtaba Hamenei njihet për bashkëpunimin e tij jashtëzakonisht të ngushtë me strukturat paraushtarake. Sipas raporteve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, ai punoi drejtpërdrejt me Forcën "Kuds", një krah i operacioneve të huaja, dhe milicinë vullnetare "Basixh", e cila ishte përgjegjëse për shtypjen me dhunë të protestave vendase.
Për shkak të këtyre aktiviteteve, SHBA vendosi sanksione ndaj tij në vitin 2019, duke argumentuar se ai po zbatonte ambiciet destabilizuese rajonale dhe politikat represive të brendshme të babait të tij.
Kontradiktat mbi trashëgiminë
Zgjedhja e Moxhtabas ka shkaktuar debat të brendshëm në Iran, pasi kritikët thonë se transferimi i pushtetit nga babai te djali e kthen teokracinë në një lloj monarkie të trashëgueshme - pikërisht atë kundër së cilës luftoi Revolucioni në vitit 1979.
Megjithatë, legjitimiteti i tij midis mbështetësve të regjimit të linjës së ashpër është forcuar më tej nga ngjarjet e fundit tragjike. Me babain dhe gruan e tij të vrarë në veprime ushtarake, fanatikët në Teheran tani e shohin atë jo vetëm si një udhëheqës, por edhe si bir martirësh në luftën kundër Amerikës dhe Izraelit.
Si udhëheqësi i ri suprem, Moxhtaba Hamenei tani ka autoritet absolut mbi strategjinë, ushtrinë dhe programin bërthamor të Iranit, ndërsa Garda Revolucionare është drejtpërdrejt përgjegjëse ndaj tij. sa/
foto: DPA